Bashkëbisedim me fotografin Bujar Veselaj

Bashkëbisedim me fotografin Bujar Veselaj

Bashkëbisedim me Fotografin 

 “Për çfarë duhet një thellësi e madhe fokale nëse nuk është e shoqëruar me një thellësi të duhur ndjenje”- thoshte Eugene Smith. E mendoj shpesh këtë shprehje. E mendoj çdo herë që kam përpara një fotografi që më emocionon. Dhe mendoj se është e drejta e gjithkujt të dijë si lind, apo si krijohet një fotografi e tillë. Prandaj, çdo herë që kam mundësi, këto gjëra ua pyes fotografëve që njoh. Mendoj se ata duhet të na tregojnë rrugët e tyre që ne t’i ndjekim. Prandaj u marr intervista. Në rastin e Fotopasion, kjo është intervista e dytë. Mbas Armando Babani të numrit të kaluar, kësaj here pena ime trokiti përtej oqeanit. Një fotograf që nuk ka nevojë për shumë prezantim sepse mjafton vetëm emri: BUJAR VESELI (VESELAJ)

  1. Çfarë është fotografia për familjen Veselaj dhe si i hyri Bujari kësaj rruge? Duket banale por besoj se për publikun tonë do ishte me interes një prezantim personal i karrierës dhe prejardhjes tuaj si fotograf, si dhe ndonjë anekdotë në lidhje me të.

Fotografia për familjen (Veseli) Veselaj është një vazhdimësi. Fillimisht ka qene babai im Refik Veseli, që në moshë shumë të re ka filluar profesionin e bukur të fotografit. Falë tim eti ju fut në gjak ky profesion mamasë, mua ashtu dhe vëllait tim Fatmirit. Këtë pasion im atë ia trasmetoi dhe shumë të afërmve, shokëve e miqve të tij. Tani po tregoj pak për veten. Siç thashë rrjedh nga një familje fotografësh dhe për pasojë që në fëmijëri u mësova me termat e fushës së fotografisë. Mbaj mend që edhe pse i vogël kisha shumë dëshirë të qëndroja pranë babait dhe shikoja sesi fotot bardhë zi i bënte me ngjyra me bojra vaji. Më vonë edhe unë fillova të ngjyrosja si ai. Në atë kohë akoma nuk ekzistonte fotografia me ngjyra. Duke parë dëshirën time të madhe për të mësuar, me rastin e 15 vjetorit babai më dhuroi një aparat Taxona ku në pjesën e aluminit të aparatit i pati gdhendur emrin tim.

  1. Kush është raporti ndërmjet artit dhe fotografisë në punën tuaj?

Siç thashë dhe më sipër në familjen tonë shumica e bisedave bëhej rreth fotografisë. Fëmijë kisha dëshirë dhe pikturoja si dhe të riprodhoja tregimet vizatimore. Kam mbaruar Liceun Artistik Jordan Misja për pikturë, por fotografia pati ndikim më të fortë tek unë kështu që iu dhashë me shumë pasion Fotografisë. Kështu kam punuar si fotograf në Muzeun Arkeologjik në Tiranë, në revistën Ylli dhe në Institutin e Lartë Bujqësor. Mbas ardhjes së demokracisë, im atë, unë e vëllai hapëm studion fotografike FOTO STUDIO SPORTI, VESELI. Në çdo arkiv institucioni ku kam qënë janë me qindra negativat ku unë jam autor. Ju më pyesni kush është raporti ndërmjet artit dhe fotografisë. Për mua fotografia është një art më vete. Ashtu siç është piktura art ashtu është art dhe fotografia. E di, disave mund të mos i pëlqejë e mund të më kundërshtojnë, por ky është mendimi im që nuk ma ndryshon njeri.

  1. Subjekti juaj i preferuar në fotografi?

Mund të them që në përgjithsi më pëlqejnë të gjitha fushat e fotografisë. Jam më pak i dhënë mbas fotos gazetareske. Nuk është se nuk më pëlqen, por është me të ngjitur. Unë adhuroj portretin, foto artistike që i bëj me kënaqësi sado i lodhur që të jem në atë moment.

  1. Sa ka ndryshuar puna juaj me fotografinë dixhitale? E kam fjalën edhe për azhornimin e domosdoshëm që i kërkohet sot fotografëve si dhe modifikimin e punës së tyre jo vetëm teknikisht por edhe në raport me vetveten. Pra, Bujari dhe teknologjia?

Bujari dhe teknologjia; ashtu siç dashuroj me forcë fotografinë pa frikë them që me të njëjtën forcë dashuroj dhe teknologjinë dixhitale. Për kuriozitet dhe këtë e them me plot gojën, që kam qënë i pari në Shqipëri që kam futur teknologjinë dixhitale.(Po të paraqitet rasti herë tjetër do të tregoj dhe sesi iu futa rrugës së dixhitalit).

Për mua ai që merret akoma me foto me film është njeri që ka frikë t’i përshtatet teknologjisë së re (megjithëse tani nuk është më e re). Do bëja një krahasim vulgar: është njësoj si të lash rrobat me dorë si gjyshet tona në pllakë guri apo t’i lash me lavatriçe. Fotografia dixhitale është një teknologji që asnjeri nuk e di se ku do arrijë.

  1. Emigracioni dhe Bujari? Emigracioni dhe fotografia? Lexuesit tanë jane kuriozë për këto raporte si dhe historitë që fshihen pas tyre.

Emigracioni për mua qe një shkollë tjetër përsa i përket artit të fotografisë. Më ka ndihmuar shumë dhe vendi i punës ku vazhdoj të punoj edhe sot. Një laborator fotografik profesional, NATURAL COLOR LAB. Është një laborator që printon vetëm për fotografë të disa shteteve të Amerikës dhe përderisa printon për fotografë është normale që më bien në duar dhe shoh plot foto vërtet artistike. Këtu ka një botkuptim krejt ndryshe me Shqipërinë. Ne punonim për të investuar sërish fitimin në makineri, kush e kush të mund ta kishte më të re. Këtu janë raste shumë të rralla të shohësh studio fotografike me laborator stampimi. Të gjithë fotografët dërgojnë nëpërmjet internetit fotot e tyre në laboratore si ky ku unë punoj. Mbasi realizohet porosia i dërgohet klientit me anë të postës. (Nuk diskutohet korrektësia e postës.) Madje ka disa studio tani që kanë filluar të sjellin porosi me email dhe për klientët e tyre; në këtë rast me anë të postës i dërgohet direkt klientit final pa kaluar fare në studio këta të fundit. Dhe diçka tjetër, këtu bëhen shumë ekspozita fotografike sidomos në bashkëpunim të disa fotografëve të cilët janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin. E kundërta ndodh në Shqipëri ku mbizotëron inati e xhelozia…

  1. Kemi një publik të ri dhe sidomos fotoamator. Është normale t’ju kërkoj këshilla për ata që duan të fillojnë apo të rriten në këtë profesion. Por gjithashtu do doja t’ju kërkoja edhe disa këshilla mbi çfarë duhet të fotografojnë dhe si duhet ta bëjnë atë sot në Shqipëri?

Këshilla ime si për atë që është fotoamator ashtu dhe për profesionistin, është se interneti është një shkollë që mëson me dëshirë. Pikë së pari ai që do të bëhet fotograf duhet ta dashurojë këtë profesion. Vetëm në rast se pasioni është i fortë do i ndjesh frytet e kësaj dashurie.

  1. Për ta mbyllur, do të doja, do kisha shumë kuriozitet të dija një ëndërr tuajën të mbyllur në sirtar, çfarë ka ngelur pa bërë apo që dëshironi shumë të bëni në një të ardhme jo të largët natyrisht në lidhje me fotografinë?

Ëndrra ime është e do të ngelet një studio fotografike moderne.

Intervistoi. Julinda Mbrica. PR EJAlbum

Publikuar në revistën online Fotopasion.

Shih edhe:

Intervistë me Flavio Bandiera
Brenda universit të Armando Babani

  • Share:
, , , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.