Brenda universit të Armando Babani

Brenda universit të Armando Babani

Intervistë me fotografin ARMANDO BABANI

Një fëmijë “i burgosur” nga një përmbytje, kryetari i opozitës me kapuç përpara një pjate makaronash, Schumacher i lodhur dhe i deluzionuar para një gare, busti i ish diktatorit duke rënë, mijëra litarë të varur për njerëz të dëshpëruar që braktisin vendin ton… Ka edhe këtë fytyrë fotografia e Armando Babanit, ose më saktë ka miliona fytyra që përbëjnë historinë tonë të viteve të fundit.

 Të gjithë ne jemi rritur me imazhet e tij, të gjithëve ne na ka treguar çdo të vërtetë të tijën që nëpër vite, në mënyrë ciklike, ka përkuar gjithmonë me të vërtetën historike. Poliedrik dhe i veçantë, fotoreporter i EPA dhe i publikuar kudo, Armando vazhdon një punë të nisur mbi 30 vite më parë: “Të fotografojë botën ashtu siç e sheh, pa i ndërtuar historitë”.

Më tepër se intervistë ky është një bashkëbisedim ku në mënyrë joformale Armando shpreh falenderimin e tij për interesimin tonë  dhe mbështetjen e tij për EJAlbum dhe revistën Fotopasion. I kujton madje rininë ku “megjithë presionin e regjimit, ne fotografët e rinj shkëmbenim me njëri-tjetrin gjithçka mundnim dhe ku madje edhe aparatet dhe objektivat ishin shpesh të marrë borxh”.

 
E pyes rreth rolit që kanë fotografët në shoqëri dhe më përgjigjet me shprehjen e tij të preferuar të huazuar nga një koleg: “Ne jemi syri i Zotit dhe jo krahu e tij!”.

Përsëri i drejtohem, kësaj here për të ditur sesi ndodhi që u bë fotograf. Fillon të më tregojë që nga fëmijëria, “Isha vetëm 8 vjeç kur Babai im, që në atë kohë punonte në Pallatin e Pionierëve, më merrte vazhdimisht me vete. Mjeshtri i rrethit të fotografisë, Agim Verzivolli, më mbante pranë e më ‘urdhëronte’ merre këtë ‘ujin’ (solucionet) …dixhitali nuk kishte dalë akoma…; fute këtë letrën (letrën fotografike), merre këtë aparatin e drejtoje aty… etj. Kjo mund të them që ishte A-ja e asaj që më vonë do të bëhej Profesioni dhe Hobi im më i madh.”

Pastaj biseda vazhdon duke më treguar një moment të vështirë…Ai më thotë: “Një herë,  në vitin 1993 në Pogradec, bashkë me një gazetar Skocez, shkojmë për të parë e dëshmuar popullin që po sulmon e plaçkit të gjitha depot e qytetit; ne arrijmë në momentin kur sapo ishte hapur depoja e pijeve alkolike e të gjithë mund të imagjinohet sesa të pirë ishin… Më afrohet njëri prej tyre e më vë një pistoletë te koka duke më thënë: Spiun… dhe e mbush… Fat që gazetari me mua flet diçka në Anglisht e atëherë turma i thotë: ‘Lëre more lëre se janë të jashtëm!’ Ai tipi e ngre pistoletën në ajër e qëllon! Mendoj se është lehtësisht e kuptueshme gjendja ime shpirtërore pas atij momenti edhe sepse gazetari që ishte me mua nuk e la sensin e tij të humorit duke me thënë ‘po sikur të ngatërronte rradhën ai tipi se helbete i pirë ishte, të shtinte në kokën tënde e pastaj të ngrinte dorën lart?’…”

Sërish e pyes, dua të di rëndësinë që ka ambjenti në fotot e tij. Dhe më përgjigjet: “Shqipëria është një vend plot kontraste të thella, e si e tillë kërkon shumë punë nga një fotograf, por në të njëjtën mënyrë ofron shumë aspekte për t’u fiksuar.” Kështu më tregon një rast mbi përshtypjet e editorit të tij mbi një set fotografish. “I vështroi me vëmendje fotot dhe në fund më tha: Keni një vend flori e jo vetëm nga pikëpamja fotografike, por që për fatkeqësinë tuaj është drejtuar nga bakri!.”

Unë përdor një shprehje për fotoreporterët si Armandi, i quaj fotografë “prej vërteti” dhe i them hapur të më thotë sipas tij arsyen pse sot në Shqipëri ka kaq pak fotografë prej vërteti. Më përgjigjet troç me theksin e tij tiranas “Sepse sot të gjithë i bien shkurt dhe pak kush e merr seriozisht punën e vet. Ky është profesion dhe si gjithë të tjerët kërkon përkushtim dhe respekt për etikën dhe qënien; kërkon gjithashtu të ballafaqohesh gjithmonë me vetveten.”.

Mu duk e kotë të vazhdoja më tej edhe sepse një univers të thellë si Armando Babani nuk mund ta zbulosh dot me fjalë. Për këtë motiv ju ftoj të gjithëve ta zbuloni nëpërmjet shkrepjeve të tija të përditshme.

 

Teksti & Intervista: Julinda Mbrica

Publikuar në revistën online Fotopasion.

Shih edhe:

Intervistë me Flavio Bandiera

Bashkëbisedim me fotografin Bujar Veselaj

  • Share:
, , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.