1 Prill, 2021 EJAlbum Albania

Ditët e Fotografisë Botërore në Tiranë: Peter Lindbergh

 

Jemi tashmë në takimin e radhës të projektit “Ditët e Fotografisë Botërore në Tiranë”, projekt që ka për qëllim realizimin e një cikli organik me takime dhe workshop-e me bazë fotografinë dhe që është ideuar dhe realizuar nga një bashkëpunim mes EJAlbum dhe shume institutesh kulture në Shqipëri dhe jashtë. Mbas artistëve Ferdinando Scianna, Oliviero Toscani, etj. kësaj radhe propozojmë një tjetër fotograf me famë botërore, artistin Peter Lindbergh.

 

Peter Lindbergh, i lindur në Poloni në nëntor 1944, është një kineast dhe fotograf i madh gjerman. Karriera e tij profesionale filloi më 1971, si ndihmës për dy vjet, i Hans Lux, një fotograf me bazë në Dyseldorf në Gjermani. Në vitin 1978, Lindbergh u zhvendos në Paris dhe filloi të punojë me Vogue International në versionet anglisht, gjermanisht, frëngjisht, ate amerikane dhe sidomos ate italiane. Më tej ai ka punuar për Vanity Fair, Allure, Rolling Stone dhe The New Yorker duke fotografuar për shembull Anna Wintour për kopertinën e American Vogue por edhe modele si Christy Turlington, Naomi Campbell, Linda Evangelista, Cindy Crawford, apo nëse duhet të veçojmë, Tatjana Patitz për një kopertinë spektakolare të Vogue USA në janar të vitit 1990.

Peter Lindbergh ka në portfolin e tij portrete të Mick Jagger, Catherine Deneuve, Tina Turner, Madonna, John Travolta, John Malkovich, Nastassja Kinski dhe Charlotte Rampling. Në vitin 1996, u botuan 10 Gratë nga Peter Lindbergh. Ishte libri i tij i parë me fotografi bardh e zi i dhjetë modeleve më të mira të kohës. Po atë vit dhe më pas në 2002, Lindbergh ka realizuar edhe kalendarin Pirelli. Ajo e vitit 2002 është një risi, sepse ai paraqiti aktore për herë të parë dhe jo modele.

 

Duke folur për ekspozitat, Peter Lindbergh ka pasur shumë të tilla dhe puna e tij është shfaqur në shumë muze dhe galeri të botës. Në vitin 1985, fotografitë e tij u ekspozuan në Londër, në “Shots of Style”, Muzeun Victoria & Albert Hall. Një vit më vonë, fotot e Lindbergh u përfshinë në një solo show nga “Comme des Garçons” në Paris në “Qendrën Georges Pompidou”. Në vitin 1992 ekspozon në “Galerie Gilbert Brownstone”, Paris. Ekspozon në Galerinë “Bunkamura” në 1994 në Tokio dhe në 1996 në Frankfurt në “Schrin Kunsthalle”. Në vitin 1997, “Hamburger Bahnhof” në Berlin prezantoi “Imazhe të Femrave Sot” nga Lindbergh e cila gjithashtu u shfaq në muze të ndryshëm në Milano, Romë, Vjenë dhe Hamburg. Kjo u pasua nga ekspozitat në “Festivalin Ndërkombëtar të Fotografisë” të Japonisë në 1999 si dhe 2000. Dy vjet më vonë, Irina Antonova, drejtoresha në Muzeun e Arteve të Bukura në Pushkin, solli “Imazhe të Femrave Sot” në muzeun e drejtuar nga ajo në Moskë.

Peter Lindbergh gjithashtu përfshiu linja historike ose komplote të historisë në editorialet e tij të modës. Ai fotografoi Helena Christensen si një Martiane në 1990 në Vogue Italiane dhe ky ishte fillimi i përdorimit të narrativës në fotografinë e modës. Në vitin 2009, “Muzeu Metropolitan” ekspozoi “Modele si Muzë”. Një vit më vonë, në 2010, “On Street në C/O Berlin” (Forumi Ndërkombëtar për Dialogët Vizualë) numëronte nëntëdhjetë mijë vizitorë në ekspozitën e tij. Në vitin 2011, Lindbergh ekspozoi instalimin e tij gjigant, “E Panjohura”, në “Qendrën Ullens për Artin Bashkëkohor” në Pekin, me Jerome Sans si kurator të saj.

 

Përveç fotografisë, Lindbergh ka realizuar shumë filma gjithashtu. Në vitin 1991, ai realizoi “Models – The Film”, një dokumentar i xhiruar me supermodele në Nju Jork. Një dramë dokumentare e vitit 1999 me 30 minuta, “Zërat e Brendshëm”, fitoi një çmim për Dokumentarin më të Mirë në Toronto, në vitin 2000 në Festivalin Ndërkombëtar të Kinemasë. Edhe karriera si kineast është gjithashtu e pasur dhe plot çmime ndërkombëtare dhe për këtë arsye do të realizojmë një workshop me artistin gjatë ditëve të takimit në Tiranë.

Lindbergh, vjen në Shqipëri për herë të parë dhe do mbajë një takim për të gjithë të apasionuarit e fotografisë si dhe për të gjithë ata që punojnë në botën e komunikimit viziv. Takimi do nisë me një dokumentar të shkurtër mbi eventet e kaluara, që ka dhe qëllim krijimin e një tradite; dokumentarë të shkurtër mbi çdo fotograf që do vijë në Shqipëri si dhe realizimin e një metrazhi të gjatë mbi gjithë projektin në përfundim të tij.

Takimi do të organizohet në formën e bashkëbisedimit mes artistit dhe publikut dhe Lindbergh do të prezantohet dhe intervistohet nga artisti dhe fotografi i njohur shqiptar, Prof. Asos. Albes Fusha. Takimi do zhvillohet në Sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve, Tiranë, ditën e enjte, datë 19 gusht 2021, në orën 18:30. Një workshop me studentët e Fakultetit të arteve do të zhvillohet në Galerinë FAB. Konferenca e shtypit do të mbahet në të njëjtën ditë në orën 17:30.

Është një event i hapur për të gjithë dhe hyrja është e lirë. Për më shumë info dhe për një press kit ju lutem na kontaktoni ose për më shumë informacione shtypni KËTU!

 

EJAlbum