“80 Vite. Nga Vittorio Ballio MORPURGO tek Mario PETRESCHI…”

“80 Vite. Nga Vittorio Ballio MORPURGO tek Mario PETRESCHI…”

Ekspozitë. Ndërtesa Qëndrore e Bankës së Shqipërisë. 

Tiranë, Shqipëri. 

30 Tetor – 16 Nëntor 2018. 

Kjo ekspozitë vjen me rastin e 80 vjetorit të ndërtimit të Ndërtesës Qëndrore të Bankës së Shqipërisë. Selia Qëndrore e Bankës së Shqipërisë për dekada ka qenë monumenti më i rëndësishëm i sheshit qendror të Tiranës dhe ndër vite ka krijuar identitetin e këtij sheshi duke qenë në të njëjtën kohë pjesë identitare e ansamblit arketiktonik të kryeqytetit. 

Ndërtesa e Bankës së Shqipërisë në Tiranë u projektua nga arkitekti i mirënjohur italian Vittorio Ballio Morpurgo dhe u inaugurua më 30 tetor 1938. Vittorio Ballio Morpurgo ishte një nga arkitektët e shkollës racionaliste të arkitekturës italiane, një nga pedagogët e apasionuar në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit “La Sapienza” në Romë, Shef i Katedrës së Arkitekturës dhe Urbanistikës. I njohur në Shqipëri për bashkëpunimin me Florestano di Fausto në projektin për qendrën e Tiranës, ai kishte projektuar Bankën e Durrësit e atë të Korçës në vitet 1925 – 27, në të cilat ai u kujdes të ndërtojë me monumentalizëm të denjë për këto institucione, për të sjellë kështu simbolikën e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë së kohës. Të njëjtat karakteristika do të influencojnë edhe rrugën e gjatë projektuese që arkitekti do të ndjekë për të propozuar denjësisht objektin e Bankës së Tiranës – rrugë që dokumentohet edhe nga skicat e projektet e ruajtura shumë mirë.

Ekspozita sjell pra për publikun historinë e Ndërtesës në një rrugëtim mes fotografive, skicave, vizatimeve origjinale të kohës duke reflektuar dhe dialoguar natyrshëm edhe më projektin e restaurimit të saj, projekt ky i arkitektit Mario Petreschi i cili solli inaugurimin e kompleksit të ri më 30 tetor 2015, së bashku me Muzeun e Bankës së Shqipërisë. Ekspozita pasqyron qartë faktin se Ndërtesa e Bankës së Shqipërisë, në formën që trashëguam nga Morpurgo, do t’i mbetet historisë, por ajo do të vazhdojë të jetojë tashmë si pjesë e një kompleksi të ri arkitektonik dhe multifunksional. 

 

Fotografitë e kësaj ekspozite janë pjesë e fondit të Bankës Kombëtare të Shqipnis dhe ruhen pranë Arkivit Qendror të Shtetit Italian, në Romë. Ato janë realizuar kryesisht nga fotografët e studios Foto Vasari, Romë dhe inxhinierët italianë që punuan për ndërtesat e Bankës Kombëtare të Shqipnis, gjatë viteve 1925-1938. Skicat dhe vizatimet janë po ashtu pjesë e Fondit të Bankës së Shqipërisë. 

Ekspozita organizohet nga Muzeu i Bankës së Shqipërisë dhe vjen e kuruar nga EJAlbum me një ekip të përberë nga kuratorët Elton Koritari dhe Ardian Isufi, me një koncept të Albes Fusha dhe EJAlbum Team dhe realizuar grafikisht dhe teknikisht nga Ervin Bërxolli dhe Ergys Krisiko. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun duke filluar prej datës 31 tetor 2018 dhe më pas do ekspozohet edhe në qytete të tjera në Shqipëri. 

05 foto ne fund
07 foto ne fund
  • Share:
, , , , , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.