EKSPOZITË NOMADE

Pressura është një koloni nomade artistësh dedikuar fotografisë sociale. Fotografët apo artistët e angazhuar në projekt, zhvillojnë një sens thellësisht të orientuar drejt narracionit (storytelling) si një mjet sa antik aq edhe modern, për të treguar realitetin shpeshherë kompleks të rajonit tonë, si edhe të luftojnë dizinformimin publik duke autentifikuar realitetin sipas etikës dhe ndërgjegjes së tyre. Me tej, duke krijuar një ambjent me karakter të thellë formativ por njëkohësisht duke favorizuar shkëmbimin kultural dhe profesional mes fotografëve – me qëllimin për të forcuar shpirtin kritik të tyre – Pressura ka ambicien të bëhet një lëvizje e mirëfilltë artistike dhe etike dhe të ndihmojë këtë klasë profesionistësh të orientohet drejt fotografisë sociale – si një sensibilitet artistik dhe një qëndrim drejt realitetit historik social bashkëkohor. Pressura është një urgjencë e artit shqiptar për të zhvilluar premisat për krijimin e një fotogazetarie të prirur jo vetëm drejt lajmit, por drejt kontekstualizimit të tij dhe analizës autoriale.
Fotogazetaria shqiptare ka qënë ndër shprehitë artistike më të nënshtruara dhe përdorura nga pushteti diktatorial dhe pothuaj vetëm shprehi e propagandës së saj. E më tej ky sektor i gazetarisë por edhe i artit shqiptar ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë një izolim të thelle ndaj botës perëndimore, në nivele shkëmbimi idesh, eksperience, praktike etj. Buxhetet e reduktuara editoriale, rënia e besimit tek shtypi, kontrolli i tij prej pushtetit, rritja e rrezikut të fotogazetarëve duke u kthyer në objektiva nëper ngjarje apo konflikte, kjo prej nevojës së rritur për konsum imazhesh “spot”, rënia e interesit për lajme (apatia e publikut) dhe rritja e tij për të ashtuquajturin “gossip”, rrjetet sociale dhe rritja eksponenciale e imazheve në to, janë vetëm disa nga faktorët që rrezikojnë të ardhmen e fotogazetarisë, sidomos në trevat tona ku mungojnë krejtësisht amortizatorët socialë-kulturorë ndaj këtyre goditjeve si dhe përvoja në përballimin e tyre. Të gjitha këto, ndikojnë më tej në mënyrë direkte dhe indirekte edhe në problematika konkrete të përditshme të cilat cënojnë vetë shoqërinë tonë në të sotmen, ruajtjen e Kujtesës Kolektive dhe integrimin e shoqerisë shqiptare në atë euroatlantike në të ardhmen.
Ekspozita në vetvete synon pikërisht ti tregojë publikut lokal që fotografia mund të kthehet në një formë shprehëse e fuqishme e realitetit social dhe një katalizator i debatit publik, nëpërmjet historive që tregojnë konditat humane, nevojat, dramat por edhe kompleksitetin e mënyrës së jetesës në këto treva. Në këtë prizëm, kjo ekspozitë nuk i kushtohet vetëm fotografëve apo skenës së artit por të gjithë publikut dhe sidomos hapësirës së mendimit të lirë e të pavarur. Pjesmarrja e fotografëve në këtë koloni nomade – në një rrugëtim të përbashkët mes tyre, organizatorëve, lektorëve dhe të ftuarve, ku rezultatet e pritshme të kësaj ndërhyrje publike me karakter të thellë artistik duhet të shihen domozdoshmërisht edhe si tentativë në frenimin e shtrembërimit të vazhdueshëm të informacionit dhe kthimin e fotografisë në një burim të besueshëm informacioni në vetvete.
Shtypi rreth ekspozitës: Ekspozita “Pressura”
Artistë pjesmarrës në ekspozitë:
David Cuka / Vlasov Sulaj / Korab Basha / Enza Rripaj / Vigan Demiri / Marsej Fuçia / Majlinda Dedaj / Ber Abdulahi / Arben Alliaj / Bledar Hasimi / Anjeza Mema
“999”
David Cuka



David Cuka është një artist shqiptar i cili ka zgjedhur mediumin e fotografisë për të dokumentuar kryesisht aspekte që lidhen me të drejtat e njeriut. Në projektin “999 Portrete” ai e ka përqendruar objektivin e aparatit para personazheve duke i ftuar të jenë vetvetja, pa bërë kurrfarë diferencimi, në asnjë aspekt. David Cuka ka zhvilluar dhe publikuar gjerësisht punën e tij në mediat vendase dhe europiane si dhe ka çelur disa ekspozita në Shqipëri. Me anë të fotografisë, artisti rrit dhe promovon ndërgjegjësimin mbi barazinë sociale, të drejtat e grave, advokon kundër diskriminimit të komunitetit LGBTI+ në vend e rajon, komunitet të cilit ai vetë i përket, si person transgjinor.
“Ndërthurja e këtyre portreteve vjen si një punë në vazhdim, mbas përfundimit me sukses të serisë se parë –
realizuar prej nje afati kohor 4 vjeçar – me zanafillën në gusht të vitit 2019 dhe duke mbaruar me një seri ekspozitash
me institucionet më në zë dhe me rëndësi në Shqipëri në tetor të vitit 2022. Këto portrete vijnë si rrjedhojë
e 3 serive të reja të nisura gjatë këtij viti si nevojë e një thellimi dhe për ti shkuar më tej problematikave dhe
qasjeve te ndryshme te kohes qe jetojme aktualisht në Shqipëri. Kështu, fillova sërish udhëtimin tim, nga veriu i
Shqiperise në jug, nga minierat e Bulqizes në fushat e Myqezesë. Çdo dallim në portretin e secilit qe eshte
fokusuar ne kameren time sjell permes kesaj serie nje larmi, sjell problematikat, ndryshimet dhe menyrat sesi e
shikojmë ne Shqipërinë dhe si është ajo në të vërtetë. Sjell padiskutim ballafaqimin mes te rinjve dhe moshes se
trete pa harruar dhe nje seri portretesh ku të perfshihen te huajt nga cdo vend i botes për këdo nuk ka mundësi
të shëtisi në keto vende dhe gjtihashtu sjell një ballafim artistik dhe kulturash të ardhura përmes serise së tretë
të 999. A mundet nje portret ose disa seri fotografish ti percjelli te gjitha keto? Ashtu si janë, pa filtra,
drejtëpërdrejtë në kamera, sy që ikin – sy që vijnë por që mbesin dhe rrënjosen ne Kujtesën Kolektive shqiptare
edhe për të krijuar një hapësirë, për të hapur një diskutim politik, shoqëror, artistik – permes një lenteje dhe një
aktivisti të përndjekur dhe bullizuar nga shoqëria shqiptare – i paragjykuar vetëm për ekzistencën si artist
trasngjinor burrë, i vetëm në një vend të vogel si Shqipëria, ku të qenit i lirë dhe artist kushton shumë.
AXHA ALI
Korab Basha



Korab Basha ka lindur në vitin 1984 në Prishtinë, Kosovë ku ai edhe jeton dhe punon prej vitesh në një prej të përditshmeve më të njohura të vendit. Diplomuar në Institutin e Filmit dhe Fotografisë “Gjon Mili” në Prishtinë, Korabi prej 15 vitesh është një fotograf aktiv edhe në skenën artistike me mbi supe dy ekspozita personale dhe disa të tjera
kolektive.
“Prej kohësh, gjatë takimeve të shumta që realizoj për punën time me personalitete të ndryshme, përfshire ata
te sportit, kam takuar Ali Pllanen, shenjëtarin kampion të ish Jugosllavisë, i cili në rrefimin e historisë së tij tregon
periudhën e Luftës së Kosovës, ku ai ka kontribuar si riparues i snajperëve të UÇK-së dhe trajner i tyre, por duke
theksuar përherë se ai vetë asnjëherë nuk ka drejtuar një armë në drejtim të dikujt. Sepse lufta bëhet edhe
kështu. Me mjetet e punës dhe dijen, eksperiencën e një kampioni të lindur të sportit dhe një heroi të heshtur.
Historia si sportist e Axha Ali lind rastësisht në një ditë të largët të vitit 1944 ku lufta e dytë botërore nuk kishte
përfunduar akoma. Vellai i Aliut, Ramadan Pllana ishte duke pastruar pushkën e tij luftarake M-48 kaliber 7.9
mm dhe duke parë kureshtjen e Aliut 5-vjeçar, ja jep atij të shkrepë. Aliu, merr pushkën dhe qëllon në shenjë,
mbi pemën e thatë ku e kish porositur i vëllai. Kështu lind karriera e tij sportive, me përkushtimin e tij Ali Pllana
u bë një kampion absolut i Shënjestarisë në Jugosllavi duke fituar kampionate si për shembull në Shkup më 1962
në qitje me 1×5 fishekëme pushkë M-48 në 100 metra, në Prishtinë ne 1969, Lubjanë më 1978 apo Kragujevc
më 1980 në kategoritë 2×10 fishekë apo 3×120 fishekë me pushkë M-98 në 100 apo 300 metra, në Berat më
1981 në Qitje Olimpike me 1×40 fishekë me pushkë KV standart apo edhe në qitje me pistoletë 25mm në
Beograd më 1980. Më tregon se pasi e larguan nga puna në vitin 1989 kish vazhduar gjithsesi me qitjen,
kryesisht në një farë organizimi ilegal të saj në Kosovë. Në vitet e luftës, së bashku me Hajrush Demaj, kanë
organizuar logjistikën në Serovc, Podujevë ku kanë trajnuar një grup ushtarësh të UÇK të cilët nuk kishin pothuaj
fare njohuri mbi armën. Axha Ali është rikthyer serish për të ndihmuar atë njësi edhe duke riparuar armët apo
duke i kalibruar apo akorduar ato, sidomos snajperat për një distancë prej 800 metrash qitje. Pyetjes time nëse
ai personalisht ka gjuajtur ndonjëherë me snajper në drejtim të ndonjë njeriu, Axha Ali i përgjigjet menjëherë:
JO!
RASTËSI
Enza Rripaj



Enza Rripaj ka lindur në vitin 1995 në Shkodër. Momentalisht jeton në Tiranë ku edhe po studion në Universitetin e Arteve, pranë Fakultetit të Arteve të Bukura në degën Multimedia, master viti II. Krijimtaria artistike e saj bazohet mbi konceptin e kohës dhe të errësirës. Kryesisht punonj në mediumin e videos, fotos, instalacionit, përfshirë këtu edhe
shkrimin.
“Fotografia është një mjet kujtese dhe një mjet shumë i zakonshëm mnemonik, e kjo është një ndër arsyet e
fotografisë familjare. Të shumta janë familjet që posedojnë së paku disa fotografi, si: fotografi dasmash,
fotografi letërnjoftimi, fotografi shkolle, etj. Funksioni i kujtesës mund të çojë në ruajtjen, si dhe në shkatërrimin
e fotografive. 12 fotografitë në album janë marrë nga një shirit filmi të cilin e kam gjetur në rrugë. Dukshëm
është një dasëm, le të themi e vitit 2000, dhe në këtë pjesë të filmit paraqitet momenti i marrjes së nuses nga
shtëpia. Dihet se, ceremonia e marrjes së nuses është një nga pjesët më të rëndësishme të dasmës shqiptare,
traditë e cila vazhdon ende sot. Ama, ajo që i jep kuptim gjithë këtij zhvillimi është pikënisja, momenti i gjetjes
së filmit, i takimit të kohës sime me një kohë dhe një kontekst të largët dhe të huaj, tanimë i afërt dhe i
personalizuar.”
I MYKUR
BER ABDULAHI



Beri ka lindur në Tetovë, në Maqedoninë e Veriut në vitin 2001, qytet ku edhe jeton, punon dhe studion për ekonomi, dega marketing por siç e thotë edhe ai vetë, është arti, kryesisht fotografia pasioni i tij më i madh në jetë.
“Keqpërdorimi i resurseve ushqimore është një në 10 problemet më të mëdha ekologjike në shekullin XXI. Blerja e sasive të panevojshme dhe gatimi i tepërt janë vetëm disa prej aspekteve të këtij problemi, por edhe grumbullimi pa nevojë është një formë e keqpërdorimit që praktikohet gjerësisht nga shumica e njerëzve. Megjithatë, sa herë që hulumtoj, myku më dërgon mesazhe me kuptime të thella: përfundimi, mbarsja dhe qëndrimi i braktisur. Në anën tjetër, myku është një fillim i mrekullueshëm – një krijesë e privilegjuar, një lindje e pazakontë që shpesh nuk
vërehet. Është një fillim i ri, fillim prej zero, arsyet e ekzistencës dhe beneficiet e tij janë shumë të rëndësishme. Myku luan një rol të posaçëm në mbajtjen e balancës në ekosistem. Ai ndihmon në razëmimin e materieve organike dhe reciklimin e tyre, duke ndihmuar në mbajtjen e një mjedisi të shëndetshëm për të gjitha formën e jetës. Myku, veçanërisht lloji i njohur si Penicillium, është bazë e shumë antibiotikëve të përdorur në mjekësi për trajtimin e infeksioneve bakteriale. Ky zbulim i rëndësishëm ka shpëtuar shumë jete dhe ka ndihmuar në luftën kundër sëmundjeve të ndryshme. Ai është përbërës kryesor në shumë lloje të djathrave të famshëm si Gorgonzola dhe Roquefort duke ju dhënë shijen karakteristikë dhe aromën e veçantë të këtyre produkteve gastronomike. Thënë kjo, më duhet të theksoj se kur kam fotografuar ushqimet e mykura, nuk i kam keqshfrytëzuar resurset ushqimore, përkundrazi janë përdorur me kujdes dhe në momentet e duhura. Në disa raste, ushqimet që janë fotografuar kanë qenë të hedhura, të përdorura ose kanë qenë jashtë afatit të përdorimit. Kjo ka ndihmuar të mbajë njëgjendje të përsosur për rritjen e mykëve. Procesi për të zbatuar këtë ide ka zgjatur mbi dy muaj dhe ka përfshirë mbi gjashtëmbëdhjetë lloje ushqimesh, të cilat janëfotografuar duke përdorur vetëm dritën e diellit.”
VOYEUR
Anjeza Mema



Anjeza Mema eshtë një artiste e re shqiptare, lindur në vitin 2002 në Tiranë, qytet ku edhe jeton e punon.
Diplomuar në degën pikturë grafike pranë Universitetit të Arteve Tiranë, Fakulteti i Arteve të Bukura, krahas
grafikës dhe pikturës, Anjeza punon me fotografine analogjike, kryesisht duke eksperimentuar me teknikën
Polaroid apo fotografinë Instant. Teknika e përdorur nga Anjeza për projektin “Male Gaze” është Transfer në xham nga film Polaroid 600 . Fotografitë janë autoportret iartistes.
“Kam zgjedhur fenomenin e njohur me termin “male gaze” sepse mendoj se çdo grua apo vajzë e ka përjetuar
atë në jetën e saj. Edhe nëse dikush mendon se nuk është prekur nga ky fenomen, ai është gjithmone prezent
në shoqërinë tonë. Duke e trajtuar si teme, dua të njoh publikun me efektin qe ka ky fenomen në ndërvetëdijen
kolektive. Jo si diçka që domosdoshmerisht mund te ndryshohet, por si diçka që duhet patjetër të njihet. Termi
“male gaze” merr emrin nga regjisorja dhe teoricienia Laura Mulvey e cila në vitin 1973, në një hartim për
kënaqësine visuale dhe kinemane narrative analizon sesi gjinia mashkullore projekton fantazinë e saj mbi figurën
femërore, me pamjen e saj të përcaktuar për ndikim të fortë vizual dhe erotik. Ky fenomen është i pranishëm
edhe në ditët e sotme si një arketip pra i ndërdijes kolektive. Shkrimtarja Margret Atwood përshkruan më së miri
ndjesinë e këtij projektimi të dëshirave dhe fantazive, objektivizimit që është bërë ndër vite në subkoshiencën e
grave dhe vajzave. Ajo shkruan në romanin e saj “The Robber Bride” më 1993: – “Edhe të bësh sikur nuk po
kujdesesh për fantazitë mashkullore është një fantazi mashkullore; të sillesh sikur je e padukshme, të pretendosh
se ke një jetë tënden. Ti je një grua me një burrë brenda teje duke vështruar një grua. Ti je vështruesi i vetes
tende.” (“You are a woman with a man inside watching a woman. You are your own voyeur”).
VIOLET
Bledar Hasimi



Bledar Hasimi ka lindur në vitin 1979 dhe aktualisht jeton dhe punon në Tiranë. Fotograf profesionist prej më shumë se 20 vitesh, me karrierë të gjatë në fotogazetari dhe fotografinë e eventeve. Bledar Hasimi studion për
Fotografi në Fakultetin e Arteve të Bukura të Universitetit të Arteve dhe është i angazhuar në projekte me çështje sociale në bashkëpunim me OJF apo organizata të ndryshmeshqiptare.
Violet është një modele profesioniste, “figurë e gjallë” siç e quajnë studentët apo profesorët në Universitetin e
Arteve. Kush nuk ka frekuentuar një shkollë arti, probabilisht nuk ka vënë re asnjëherë një kategori të tillë
“punonjësish”, të cilët janë të domozdoshëm për funksionimin e disa programeve që varen kryesisht nga
prezenca e tyre në atelier. Seanca të gjata pozash, në një ambjent pune ku raporti i gjinor nuk ka ndonjë dallim
të madh nga realiteti, pjesa dërrmuese e modeleve janë femra ashtu sikur pjesa dërrmuese e profesorëve jane
meshkuj. Tjetër gjë studentët, të cilet shpeshherë nuk thellohen në këtë kontradiktë që ka të bëjë me të drejtat
elementare të kësaj kategorie punonjësish. Ndonjëherë, me statizmin, palevizshmërinë e saj, duket sikur Violet
nuk është e gjallë – në fund të fundit, sa më pak e gjallë të jetë në atelier, sa mue pak levizje, distraksion, aq më
mirë është për leksionin. Studentët dhe profesorët, ka kohë që e thërrasin Xhulia, një emër arti që ja kanë vënë
prej kohësh sikur akoma më shumë ta tejhuazojnë, jashtë atelierit Violet nuk i duhet më një Universiteti Arti e në
fakt nuk egziston ndonjë kontratë punësimi mes dy palëve edhe pse ajo ka tashmë 30 vjet që i shërben
institucionit dhe artit shqiptar. Violet ka një shije të hollë për veshjen dhe ngjyrat, ka 4 mace të cilat i adhuron,
kohët e fundit është e dashuruar me një djalë dhe jeton vetëm.
USTA KADRIU
Vigan Demiri



Vigan Demiri ka lindur në vitin 1998 në Maqedoninë e Veriut dhe është diplomuar për Dizajn Grafik pranë Akademisë së Arteve të Universitetit të Tetovës në vitin 2020. Aktualisht ai jeton dhe punon në qytetin e
Gostivarit ku drejton fushata marketingu, punon në dizajn, fotografi, video dhe grafikë. Autor i disa filmave dhe dokumentarëve, pjesmarrës në disa ekspozita arti, aktualisht Vigani është edhe bashkethemelues dhe Drejtor
Kreativ i Festivalit të Fotografisë”Punctum”.
“Punëtoria, apo dyqani i usta Kadriut është një pasqyrë reale e këti nënqielli. Një deponi sistemesh dhe vlerash
të vjetruara. Askush nuk guxon të bëjë një hap para në të ardhmen, sepse e kaluara rëndon. Një e kaluar e rreme,
e manipuluar, që mban peng të ardhmen, mban peng rininë e cila “avash “avash” po largohet në drejtim të
panjohur. Televizori I usta Kadriut në mes të punëtorisë, luan rolin e tellallit, i cili bërtet: o burra, na ka marrë
lumi. Në këtë “punëtori”, kanë mbetur vetëm rrangallat, që si hyjnë në punë më askujt. Ai me dhembje të
madhe në shpirt, klithë: ikni dhe shpëtoni ku të mundeni. Televizori në mes të punëtorisë është një faltore kulti
të cilin e mban ndezur ditë e natë me fanatizëm, por nuk e beson. Jo rastësisht e ndez dhe ia ndal zërin me të
shara, sepse nuk i beson më në asgjëje, e më së paku këti zhurmuesi. Dhe prap e ndez, sepse është ventili i vetëm
ku mund të shfryejë mllefin. Ikjen e fëmijëve të tij në migrim ia tregojnë rrudhat e shumta ballit dhe vetullat që
nuk i ndahen kurrë. Ai din emrat e gjithë qyteteve të Europës, jo se i ka shetitur ndonjëherë, por sepse cdo kund
ka ndonjë familjar. Të vetmen që kishte në shtëpi, gruan e tij, ia mori “sëmundja e keqe”. Prej saj i ka mbetur
vetëm unaza e ngulitur në gishtin, për të cilin, nuk është më i sigurt se a mund ta nxjerrë nga gishti, sepse nuk e
ka provuar kurrë. Usta Kadriu jam edhe unë, je edhe ti… jemi të gjithë ne…”
HOTELI I BEQAREVE
Vlasov Sulaj



Vlasov Sulaj ka lindur në qytetin eFierit në vitin 1984 dhe është diplomuar pranë Fakultetit te Arteve të bukura të Universitetit të Tiranës në vitin 2008. Artisti punon dhe jeton në Tiranë ku prej thuajse 20 vitesh është një fotograf profesionist, gazetar dhe fotoreporter i lirë dhe i angazhuar në disa prej gazetave dhe revistave më të njohura në shkallë vendi.
“Hoteli i Beqarëve është një prej godinave – fjetore të një prej ish-ndërmarrjeve më të mëdha të kohës së
diktaturës, Azotiku i Fierit, me emrin zyrtar Uzina e Plehrave Kimike “Gogo Nushi apo siç thirrej edhe nga ish
punëtorët, “Uzina Shkollë”. Uzina ndoqi fatin e dhjetëra ndërrmarrje të tilla të mëdha të cilat u brak- tisën apo
u shkatërruan plotësisht duke shkaterruar thuajse të gjithë industrinë e vendit dhe njëkohësisht edhe të gjithë
forcën punëtore. Uzina u likujdua në vitin 1999 dhe u tenderua për skrap (VKM 269). Aspekti kryesor i hetimit
tim është veprimtaria sociale dhe kulturore-artistike në qytetin e Fierit e induktuar natyrshëm prej ndërveprimit
social mes punonjësve. Në ato vite, sipas ish punëtorëve – tashmë thuajse të gjithë në migrim, të papunë apo në
pension moshe – funksiononte madje edhe estrada dhe ansambli i Azotikut. Mes punonjësve u forcuan lidhjet
ndërkrahinore, pasi erdhën shumë specialistë e punëtorë nga krahinat e vendit me nivele, mënyra apo koncepte
të ndryshme jetese mes tyre. Uzina, gjithnjë sipas ish punëtorëve, ka ndikuar në formimin profesional por edhe
qytetar e shoqëror të qytetit. Njohje, lidhje shoqerore si dhe familjare. Në uzinë, ata thonë, janë krijuar dhjetëra
familje. Hoteli i Beqarëve sot banohet nga familje me nivel të ulët ekonomik por akoma dallohen dy hyrjet e
veçanta, për femra dhe meshkuj në kohën kur shërbente si banesë e përkohshme për specialistë apo punëtorë,
të cilët sot kujtojnë sesi edhe kinezët e ardhur për të ndërtuar uzinën e kanë përdorur pikërisht këtë godinë si
fjetinën e tyre. Kjo ndërtese e amortizuar në anë të ish Azotikut më duket si një metaforë e dy kohëve ndërkohë
që sot, ndoshta pikërisht mungesa e punës dhe marrëdhënieve sociale mes qytetarëve, i ka kthyer një pjesë të
mirë qyteteve shqiptare në asgje tjetër veçse fjetore të mëdha ku asgjë nuk ndodh.
ALIGATOR 1991-2023
Arben Alliaj



Arben Alliaj ka lindur në Patos të qytetit të Fierit në vitin 1975. Ai është fotograf dhe dizajner me një karriere të gjatë në Shqipëri, themelues dhe administrator i “Benart Print” dhe themelues në vitin 2006 i “Konkursit të Fotografisë
Artistike Fokus”, transformuar suksesshëm ndër vite në festivalin “Fokus Award”, ku ai mban rolin e Drejtorit Artistik që prej fillimit. Pjesmarrës në dhjetëra ekspozita fotografie në rajon, anëtar jurie në festivale të ndryshme, kurator në ekspozita dhe pjesmarrës në shumë koloni artistike, Arbeni është edhe drejtor ekzekutiv i qendres “Albania Fokus”.
“A mundet një ritakim pas shumë vitesh mes shokësh të vjetër të vejë në krizë gjithë arketipin e jetës së një
njeriu? Ndoshta po! Ishte pikërisht takimi me shokët e shkollës së mesme dhe riberja e nje fotografie egzaktësisht
si 32 vite më parë, e cila me solli sërisht në kujtimet e asaj kohe, por edhe në ëndrrat e dikurshme për një jetë
dinjitoze këtu në atdheun tonë. Besoj kujtdo i kujtohet sllogani “Ta bejme shqiperine si gjithe Europa”?
Ndërkohë për koiçidencë, nuk kish pak dite që një mik i imi, me të cilin kemi 10 vite që punojmë së bashku, sapo
kishte marrë vizën per në Shtetet e Bashkuara – pas fitimit te llotarisë – njëkohësisht me gezimin e një babai të
cilit djali, me një vizë tjetër të sapodalë, po trasferohej përgjithmonë në Gjermani. Isha në një farë mënyre i
destinuar nga këto koincidenca por edhe nga një reflektim prej kohësh që edhe une të vija veten time në loje
duke punuar mbi këtë projekt. Kjo sepse edhe sot – 32 vite pas asaj fotografie shokësh – përsëri ëndrrat e
shqiptarëve por realizohen tragjikisht jashtë atdheut, duke e çuar dukshëm tashmë Shqipërinë në një shpopullim
masiv. Nga ata pesë djem të fotografisë së parë, vetëm Arbeni dhe Tiku mbetën këtu, ndërsa Reli dhe Indriti jane
ne SHBA dhe Iliri në Irlandë. Nderkohe, tashmë nga fëmijet tanë, Gledi sapo mori vizën për në Gjermani dhe
Ernesti me Angelon do të shkojnë më te gjithë familjen në Amerikë. Kleo dhe Henri, pavarsisht se janë më të
vegjël dhe familjen e kanë ketu, përsëri si shumëkush ëndërrojnë të ikin larg për një jetë më të mirë.”
NE JEMI TIRANA
Marsej Fucia



Marsej Fucia ka lindur në vitin 2002 në Tiranë, qyteti ku jeton, studion dhe punon. Me gjithë moshën e re, Marsej ka një eksperiencë 5 vjeçare si dizajner, fotograf, videomaker, editor, artist dhe art director,
sidomos në sektorin e ekspozitave të artit. Thotë për veten: – “Fotografia ka qene pasion i imi që ne vegjëli dhe gjithmone mahnitesha kur shihja studiot fotografike. Prej vitesh punoj prapa skenave të ekspozitave
të ndryshme por për këtë projekt jam i lumtur që po dal perpara në skenë si fotograf në ekspoziten tonë.”
“Ne jemi Tirana është një projekt social, lindur mbi 4 vjet më parë si një hetim mbi konditat, gjendjen, situatat e
njerëzve më të rëndësishëm të qytetit; banorëve të tij. Duke ju bashkuar këtij projekti, kam fotografuar kështu
me qindra personazhe të Tiranës, kam dialoguar me ta dhe kemi njohur historitë e tyre, kemi kapur në një farë
mënyre esencën e qytetit. Ne Jemi Tirana i jep jetë historive të qytetit dhe krijon një hapësirë të re komunitare,
gjithsesi unë e ndieja qe mungonte dicka, si në këtë projekt po ashtu dhe në përgjithësi në fotografine dhe
median shqiptare; ndjekja e personazheve, ndjekja në kohë e historisë së treguar nga ata, ku janë ata sot dhe
çfare po bejnë në jetën e tyre. Kjo është diçka e cila ka të bëjë pikërisht me aspektin dokumentar dhe social të
fotografisë dhe është ajo çka unë sjell për Pressura-n, duke nisur nga disa prej atyre qindra historive, prej fillimit e deri në ditët e sotme. Në përgjithësi tashmë kërkimi im artistik fokusohet tek ndjekja në kohë e historive apo rrëfimeve të njerëzve, duke sjelle perditesime nga jeta e tyre, sidomos për ata qe ndjej se e kanë ngritur jetën e tyre në bazë të kontraditave.”
BURRI ME NJE DORE
Majlinda Dedaj



Majlinda ka lindur në Shkodër në vitin 2000, prej disa kohësh jeton dhe punon në Tiranë. Me profesion është mësuese e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Përpos arsimit të lartë në këtë degë dhe specializimit të plotë në të, zhvillon edhe aktivitetin e fotografes, i cili ka lindur si një pasion dhe po vazhdon me një angazhim serioz dhe të vazhdueshëm, madje duke fituar edhe çmime dhe duke marrë pjesë në ekspozita dhe shfaqje arti. Majlinda,
në të ardhmen synon t’i dedikohet plotësisht fotografisë, kyesishtportreteve dhe botës së modës.
“N fokus të lentes sime paraqitet jeta e fshatit të Çasit, pranë Velipojës. Burri në qendër të kësaj historie është
Pjetër Ara, miku i ngusht i gjyshes sime të ndjerë. Ata që s’e njohin Pjetrin prej së afërmi, e thërrasin “burri me
një dorë”. Ai e pa fshatin e tij të zhvishej dita-ditës nga njerëzit, të zhvendosur të gjithë jashtë vendit ose në
zonën e Shqipërisë së mesme. Ndërkohë që njerëzit linin fshatin, Pjetri punoi në vendin e tij derisa me shumë
sakrifica bleu të katrta hyrjet e një pallati. Sot ai jeton aty më vëllanë, fëmijët dhe nipërit e tij. Përmes fotografive
të mia kërkoj të pasqyroj diçka më shumë se peisazhet, veshjet, arkitekturën, e të tjera elemente etnografike. Në
këtë vend ku kam lindur, pas aq vitesh rigjeta të njëjtën thjeshtësi dhe harmoni që e karakterizon fshatin. Njerëzit
rrëfejnë mbi dashurinë ndaj tjetrit dhe mbi një lidhje të fortë me natyrën. Raportet mes tyre janë të ndërtura nga
besa, nderi dhe respekti. Nëpërmjet Çasit synoj të sjell një fotografi sa më besnike të vlerave të kulturës fshatare.
Çastet e rëndomta në të cilat janë kapur personazhet në fotografi tregojnë mbi një stil jetese autentik dhe që nuk
ngrihet vetëm mbi materialen. Çasi është një dëshmi sesi njeriu (shpesh) në kushte të vështira jetese di ta mbrojë
me dinjitet dhe sakrifica tokën, familjen dhe kulturën e tij.”
Metodologjia e përdorur në projektin Pressura ka miksuar ballafaqimin mes fotografëve mes tyre dhe lektorëve por edhe punëtori në terren, masterclass, leksione online, prezantime punësh (portfolio) dhe realizimin e një projekti personal për çdo pjesmarrës, i monitoruar nga kuratori i projektit. Për karakterin shumëdimensional të kolonisë, janë angazhuar si lektorë apo drejtues të punëtorive figura të larta profesionale edhe me karakter akademik si profesorë, kuratorë, shkrimtarë, fotografë, artiste pamorë, arkitektë, aktivistë, drejtues të organizatave joqeveritare, gazetarë, etj. Në total janë organizuar 4 koloni. Falenderojmë veçanërisht lektorët dhe bashkëpunëtorët tanë:
Ardian Isufi / Arben Alliaj / Carmela Rosiello / Osman Demiri / Burim Myftiu / Vlora Demiri / Stefan Çapaliku / Eltjana Shkreli / Naim Spahiu / Nekije Shahinasi / Paul Lowe / Ziuah Grafić / Koloreto Cukali / Rozafa Shpuza
Si edhe organizatat:
Fokus Award / Fotoist / Punktum / MeWe / EJAlbum / Kult Gallery / Oda Gallery / GO2 Albania / Hapat e Lehtë / VII Academy
Shtypi rreth ekspozitës: Ekspozita nomade e fotografisë “Pressura”
Tiranë, Shqipëri 17-18 Tetor 2023
Amfiteatri i Universitetit të Arteve, Sheshi Nënë Tereza
Ceremonia e Hapjes: 17 Tetor 2023 / Ora: 17:00



Shtypi rreth ekspozitës: Në Tiranë është mbajtur ekspozita “Pressura” ku artistë të shumtë kanë prezantuar veprat e tyre artistike
Gostivar, Maqedoni e veriut 21-22 Tetor 2023
Amfiteatri i Qytetit
Ceremonia e Hapjes: 21 Tetor 2023 / Ora: 16:00



Pressura zbatohet me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga “Centar za promociju civilnog društva (CPCD”) në bashkëpunim me” Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)” dhe “Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM)” dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).
Kuruar nga: Elton Koritari

Shih edhe:
PRESSURA 2024 – Në nderim të Paul Lowe
Mbulimi mediatik:
Ekspozita nomade e fotografisë “Pressura”
PRESSURA, kolonia e artistëve nomadë dedikuar fotografisë sociale!
#PRESSURA 2024/PRESSURA IS BACK/PRESSURA 2023/PRESSURA/PRESSURA 2025