ARMANDO BABANI – EFEKTI I KONFLIKTIT

11 Mars, 2024

ARMANDO BABANI – EFEKTI I KONFLIKTIT

Një fëmijë “i burgosur” në shtëpinë e tij nga një përmbytje, karvane të pafund refugjatësh të sfinitur, Edi Rama artist me kapuç si një adoloshent përpara një pjate makaronash, Schumacher i lodhur dhe i deluzionuar pas një gare, busti i ish diktatorit jo më në kembë me turmën sipër, mijëra litarë të varur për njerëz të dëshpëruar që braktisin vendin tonë. Ka edhe këtë fytyrë fotografia e Armando Babanit, ose më saktë ka miliona fytyra që përbëjnë historinë tonë të viteve të fundit. Të gjithë ne jemi rritur me imazhet e tij, të gjithëve ne na ka treguar çdo të vërtetë të tijën që nëpër vite, në mënyrë ciklike, ka përkuar gjithmonë me të vërtetën historike.

Poliedrik dhe i veçantë, ndër fotografët më të rëndësishëm shqiptarë, i cili nuk lodhet kurrë dhe vazhdon të impresionojë si një vëzhgues kritik dhe pjesëmarrës, duke kontribuar për t’u dhënë zë atyre që në të kundërt mund të injoroheshin dhe duke shtyrë për të reflektuar mbi kompleksitetin e botës sonë, vazhdimisht në zhvillim e sipër. Si fotoreporter i publikuar kudo por edhe si artist i angazhuar, Armando Babani vazhdon një punë të nisur dekada më parë, siç e shpreh shpesh: – “Të fotografojë botën ashtu si e sheh, pa i ndërtuar historitë”.

 

Koncepti i kësaj ekspozite është t’i ofrojë publikut të Orvieto Fotografia një vështrim në brendësinë e paqendrueshmërisë së botës së sotme – më saktësisht, kjo ekspozitë na jep mundësinë për të shqyrtuar pasojat afatgjata të konflikteve në shoqërinë tonë, me një theks të veçantë në transformimet dhe plagët që shfaqen në kohë. Ekspozita gjithashtu eksploron mënyrën sesi puna e fotografit dokumenton gjurmët e vazhdueshme të konflikteve në jetën e përditshme, në marrëdhëniet dhe dinamikat shoqërore. Më gjërësisht, ekspozita i ofron publikut italian – përmes shembullit të “vendit përballë”, pra Shqipërisë – mundësinë për të eksploruar dhe kuptuar ndërfaqet e ndërlikuara të shoqërisë globale, të projeksionuar në jetën e përditshme. Për të kuptuar përkatësisht më pas kompleksitetet në jetën e përditshme të Buçës, në Lindjen e Mesme, krizën e refugjatëve, tensionet e mëdha gjeopolitike, gjendjen humane në erën pas Covid19, krizën klimatike me ngjarjet e saj ekstreme dhe pse jo, periferitë tona, mjerimin shoqëror të rinisë sonë dhe braktisjen e të moshuarve tanë. Për të kuptuar se si imazhet mund të bëhen mjete të fuqishme për të denoncuar, për të tërhequr vëmendjen drejt situatave të padrejta dhe vuajtjeve të çdo individi. Për të kuptuar rrënjët, gjenezat e konflikteve dhe instabilitetin e kohës tonë, duke u përpjekur njëkohësisht për të hulumtuar mbi shkaqet themelore dhe ndikimet e tyre afatgjata në shoqëri. Dhe akoma më shumë, duke u përqëndruar në reziliencat humane dhe historitë e shpresës dhe guximit që dalin edhe në kontekste të vështira.

 

 

Kjo ekspozitë personale, e para e Armando Babani në Itali, vjen pra në kuadër të bashkëpunimit mes festivalit të fotografisë Fokus Award dhe FIOF Italia dhe më konkretisht duke vazhduar misionin e ndërkombëtarizimit të fotografisë shqiptare dhe shfaqjen e vlerave tona artistike jashtë vendit. Ekspozita çelet më datë 15 mars 2024 në Orvieto, Itali, në kujdesin e FIOF dhe të Fokus Award, frejtorit të saj Arben Alliaj dhe nën kurimin e Elton Koritari dhe EJAlbum. Do të qendrojë e hapur deri në datën 20 prill 2024 për të vazhduar më pas të ekspozohet edhe në Shqipëri në vijim.