EJAlbum në partnership me DokuTIFF dhe me mbeshtetjen e Universitetit Europian të Tiranës, organizuan gjatë ditëve të Tirana Open një ekspozitë me 6 fotografë shqiptarë si dhe një takim të tipit “Lectio Magistralis” me temë “Fotokamera më e mirë është ajo që ke me vete”.
I pari i një cikli, si përherë në traditën tonë, në këto takime do të ftohen disa fotografë profesionistë shqiptarë, të cilët përqafojnë idenë se për fotografinë e mirë nuk ka aspak rëndësi çfarë është përdorur teknikisht nga fotografi, por në të kundërt çfarë ideje apo mesazhi qëndron pas tyre.
Kërkojmë pra të vendosin një gur kilometrik në pikën ku ndërthuret arti popullor me fotografinë.
Fotografitë mund të lindin nga çdo lloj mjeti që mundëson teknikisht krijimin e një imazhi, qoftë edhe nga një smartphone, por fotografia e mirë matet gjithnjë nga realizimi i qëllimit të saj. Përtej teknikës.
Artistët që ekspozuan disa nga punët e tyre ishin: Adnan Beci, Armand Habazaj, Armand Sallabanda, Blerta Kambo, Bevis Fusha dhe Olta Bello. Kjo ekspozitë u kurua nga Asoc.Prof. Albes Fusha. Takimi u drejtua nga administratori i EJAlbum, Elton Koritari, artisti Alban Hajdinaj dhe pati një pjesmarrje mjaft të gjërë dhe një pritje mjaft të ngrohtë nga publiku. Gjejmë rastin të falenderojmë për organizimin edhe Vasken Spiru, Agron Domi, Andi Vercani dhe stafin tonë. Falenderojmë edhe fotografin Andis Rado për fotot zyrtare të eventit.
Ekspozita qëndroi e hapur përgjatë gjithë shfaqjeve të dokumentarëve të DokuTiff, nga dt. 11 deri në dt. 15 maj 2015. Nje slide me fotot e ekspozuara u parashfaq edhe gjatë dokumentarëve të DokuTIFF që trasmetoheshin jashtë qëndrës TEN. Fotot e ekspozitës, mbas mbylljes së saj, u ekspozuan në mënyrë permanente në ambjentet e UET. Në përfundim të hapjes së ekspozitës, u organizua edhe një tavolinë e rrumbullakët mes pjesmarrësve, me të njëjtën temë.
Këto janë disa nga fotot zyrtare të ekspozitës dhe eventit: