Konkretisht, java e fundit e La Biennale di Venezia 2018, solli për publikun një ekspozitë kolektive në ambjentet e pavijonit shqiptar me pjesmarrjen e artistëve Ardian Isufi, Albes Fusha, Ervin Bërxolli dhe Yllka Gjollesha. Artistët shqiptarë krijuan një performancë të ekuilibruar dhe interesante e cila dialogon në mënyrë koherente me instalacionin Hapësira Zero Space. Ardian Isufi solli 11 mini-skulptura kinetike në rrëshirë (resine) në lëvizje të lirë të cilat pasqyrojnë marrëdhënien arbitrare që qytetarët e kryeqytetit kanë me hapësirën e përbashkët. Isufi sublimon shkëlqyeshëm këtë domethënie nëpërmjet skulpturave të tij të lëvizshme të kthyera në një performancë në të cilën vizitori i pavijonit kthehet në vetëvete protagonist i saj. Albes Fusha solli tre imazhe me një impakt të lartë komunikativ të cilat portretizojnë ndjesinë dhe gjendjen e shoqërisë shqiptare në një mënyrë shumë personale dhe intime. Artisti heton veprimet dhe sjelljen e privatit në jetën dhe hapësirën publike. Një kolazh i menaxhimit autonom të hapësirave publike të cilat gjenerojnë gjëndje përherë të përkohshme. Ervin Berxolli kontribuon në këtë performancë me një instalacion autobiografik dhe multisensorial të përbërë nga 6 fotografi origjinale të marra nga albumi i tij i familjes dhe materiale audio të lidhura më kohën. Me një vlerë antropologjike dhe sociologjike të rëndësishme, ky vështrim “brenda mureve” lejon për të përqendruar vëmendjen në një tjetër aspekt të rëndësishëm të fenomenit Hapësira Zero: gjatë këtyre ceremonive qytetarët hapnin dyert e banesave të tyre duke transformuar hapësirat private përkohësisht në hapësira publike. Yllka Gjollesha mbylli ekspozitën duke hapur njëkohësisht“Meeting on Architecture”me dokumentarin e saj “The Angel of the tunnel”.
“Takim për Arkitekturën”është një program konferencash organizuar nga La Biennale di Venezia nën kujdesin e kuratorëve dhe organizatorëve te saj. Për herë të pare Pavijoni Shqiptar ka thirrur dhe organizuar një eveniment të tille gjatë pjesmarrjes në Ekspozitën Ndërkombëtare te Arkitekturës. Ky “Meeting on Architecturë” u organizua më datë 23 nëntor 2018 në Teatro alle Tese, Venezia. Meeting ishte një platformë diskutimi midis kuratorëve të Shqipërisë dhe Kosovës, Elton Koritari dhe Eliza Hoxha, bashkëautorit të “Hapësira Zero Space”, Jurtin Hajro, me pjesëmarrjen e arkitektit italian Pier Paolo Tamburelli, artistit Albes Fusha dhe publikut të pranishëm në takim.
Takimi solli për publikun nje diskutim të hapur nga kontributi i Pavijoneve te Shqipërisë dhe Kosovës e cila lidhet me ngjashmërinë e përvojave të treguara dhe konceptet që qendrojnë pas dy pavioneve, të cilat shprehin modele transformimi urban të kryera nga qytetarët përkatës gjatë një periudhe krize politike, ekonomike ose sociale. Fil rouge i diskutimit vazhdon të jetë mënyra sesi qytetarët e Tiranës apo të Prishtinës kanë hapur dyert e shtëpive të tyre private për të krijuar hapësira publike, në shërbim pra të qytetit të tyre.
Transformimi në destinacionin i hapësirave të një qyteti, nga private nga publike, përfaqëson një model urbanistik me natyre te thellë sociale të ndërhyrjes nga poshtë, ku qytetari vepron në mënyre proaktive me hapësirën duke aktivizuar qytetin nisur nga një performancë personale dhe kolektive me implikime të thella pozitive për cilësinë e jetës.
Tirania eutopike (një term i krijuar ad hoc për të luajtur me termin “utopi” dhe prefiksin e lashtë grek “eu” – i mirë), komunikon me Prishtinën heterotopike duke kërkuar ta çojë këtë diskutim më tej dhe duke dhënë një kontribut origjinal dhe konkret për modelet urbane, nganjëherë utopike dhe nganjëherë subjektivisht pragmatike, por gjithsesi të shfaqura qarte nga të dy pavijonet gjatë #BiennaleArchitettura2018 #Freespace.
Pavijoni shqiptar i La Biennale di Venezia 2019 është konceptuar dhe realizuar nga EJAlbum, Varka Arkitekturë, commonsense.studio dhe FabLab Tirana. Personaliteti dhe forca e Tiranës, ekspozohen nëpërmjet instalacionit “Hapësira Zero Space” dhe eksperiencës sensoriale të krijuar duke kompozuar elemente të cilët synojnë të përfshijnë të gjitha shqisat dhe të shoqërojnë vizitorin në një rrugëtim për të perceptuar hapësirën e lirë dhe esencën e vërtetë të qytetit.