Koha për të ndryshuar

Koha për të ndryshuar

Articolo pubblicato solo in lingua originale (albanese):

20,34 miliardë dollarë. Kjo është shifra që Apple dha në mbylljen e trimestrit të tretë të këtij viti. Fitimi neto është 4,31 miliardë. 29% më shumë se relativi i vitit të kaluar me një projeksion për 23,5 miliardë në këtë tremujor.

Çfarë ka ndodhur? Në mes të një krize botërore, shtëpia e Kupertinos regjistron këto rritje falë një produkti interesant, të dedikuar krejtësisht tregut të fotografisë, videos dhe editorisë. Flasim për iPad. Një kuti e sheshtë katrore që tashmë është bërë makthi i të gjithë operatorëve të sektorit të printit. Plot 4,18 milionë të shitur në këtë tremujor, që përkon me lëshimin e këtij produkti. Parashikohen 20 milionë këtë vit dhe rrallëherë kompania e mollës së kafshuar gabon në parashikimet e saj.

Ndërkohë Fuji, një tjetër kolos botëror, por që ndër të tjera punon në ambjent të kundërt, pikërisht pra në atë të printit, na jep një panoramë tjetër, na jep një panoramë të zymtë. Shitjet e letrës fotografike janë në rënie konstante dhe këtë vit nën nivelin e 20 milionë m2, plot 50% më pak se para dy viteve.

Të njëjtat shifra vijnë nga të gjitha kompanitë që operojnë në këtë sektor. Asnjëherë si këtë vit, ndjenja se fotografia dhe editoria janë në prag të një katastrofe nuk ka qënë më afër. Përveç një fakti të vogël: Fotolibrat, shënojnë rritje në dy shifra gjithandej. Plot 28% në Itali. Dhe kur flitet për fotolibra profesionale rritja është gati 40%. Gjithashtu në dy shifra rriten dhe shitjet e reklamave për operatorët on line të editorisë. Kërkesat për produkte janë rritur. Kërkohen produkte të rinj në këto sektorë. Në rritje me mbi 25%, janë edhe shitjet e atyre që quhen gadgets të personalizuar. Çdo të thotë e gjithë kjo?

Thjesht që klienti ka ndryshuar. Klientit i duhet propozuar diçka tjetër. Klienti nuk shpenzon më aspak për gjëra që nuk i japin ndjesinë që janë origjinale, të personalizuara, të krijuara vetëm për të. Dhe na thotë edhe diçka tjetër. Të gjithë ne duhet të ndryshojmë ofertat tona. Pa asnjë retorikë, kjo revistë mbas disa vitesh mbase do të egzistojë vetëm në një format dixhital, do të shfletohet online apo në një suport si iPad apo diçka tjetër. Nuk do të thotë që nuk do të egzistojë më. Vetëm që do shkojë në mënyrë të ndryshme, nga si e bën sot, tek lexuesit e saj. Duhet të jemi gati sepse ky ndryshim është më i shpejtë sesa duket. Brezat e rinj kanë lindur në kohën e internetit dhe gjithmonë e më shumë idenë e imazheve dhe gradualisht edhe të teksteve, e lidhin me një suport elektronik. Në kontaktet e përditshme me fotografë ju kujtoj pikërisht këtë gjë, që klientët e tyre do kenë akses të menjëhershëm me punën e tyre, jo siç ndodhte më parë. Duhet të arsyetojnë kështu kur shkrepin aparatin. Dhe duhet të reflektojnë për të ndërtuar një libër me imazhet e tyre sepse është e vetmja mundësi që do të kenë për t’i shitur një produkt cilësor, me një çmim të konsiderueshëm. Sepse klienti nuk ka më nevojë për dokumentimin e realitetit, atë mund ta bëjë fare mirë edhe vetë. Klienti ka nevojë për një interpretim profesional të tij. Këtu hyn në rol profesionisti që tashmë duhet të ndryshojë gjithçka në punën që bën. E njëjta gjë vlen edhe për gazetarinë dhe sidomos për revistat. Askush nuk ka nevojë thjesht për informacion bazik. Atë punë e bën tashmë Televizioni dhe gjithnjë e më shumë Interneti. Tani që kompani si Apple vënë në dispozicion mjete si iPad e iPhone dhe shesin gjithmonë e më shumë produkte të lidhur gjithë kohën në internet, roli i revistave është një tjetër: Të interpretojnë në mënyrë profesionale atë që ndodh jashtë. Do të thotë që të gjithë aktorët që marrin pjesë në përgatitjen e një gazete apo reviste duhet të ndryshojnë mënyrën e punës dhe ofertën e tyre ndaj publikut. Ashtu si edhe fotografi i eventeve. Dhe duhet të përgatiten për një rritje të shpejtësisë së ndryshimit. Një rritje eksponenciale. Një fotografi sot i duhet teknikisht të jetë i përkryer sepse përndryshe, në kohë reale është i krahasueshëm me dikë tjetër dhe lehtësisht i zëvendësueshëm. E njëjta gjë ndodh edhe në editori. Nëse kjo revistë nuk ndjek ritmet e ndryshimit, në një kohë reale apo në moment, është lehtësisht e krahasueshme dhe e zëvendësueshme me një të tjetër. Duhet filluar që tani të mendohen fletët e revistës si ekrane elektronike sepse drejt saj po shkojmë.

Amazon shet libra on line prej 15 vitesh dhe libra elektronikë prej vetëm 3 vitesh dhe tashmë këta të fundit ia kanë kaluar për volum dhe faturim shitjesh librit tradicional.  Grupi Editorial “L’Espresso” në Itali, gazetat e saj i mban në këmbë vetëm falë suportit online. Fjalë të Monica Mondardini – administratore e deleguar e grupit. Duhet të mendojmë të gjithë për të bërë një punë ku klientin ta informojmë nëpërmjet internetit dhe ta edukojmë nëpërmjet shtypit. Për këtë gjë veç, duhet shtuar oferta dhe duhet rritur cilësia. Çdo ditë e më shumë, unë besoj se nëse i ofrojmë diçka jo vetëm të bukur, por të veçantë dhe të personalizuar, të krijuar për të apo që atij i jep këtë ndjesi, në çdo sektor që ka të bëjë me imazhin do kemi sukses. Sepse letra, ka një tërheqje magjike tek njerëzit. Të shfletosh një libër apo një gazetë, revistë, album fotografik etj, është diçka që stimulon thellë shqisat tona. Këtë gjë, klienti e di mirë.

Është koha për të ndryshuar, për të afruar gjithmonë e më shumë teknologjinë e së ardhmes me dijen e akumuluar, modernen me traditën dhe virtualen me realen. 

 

Articolo di Julinda Mbrica
PR EJAlbum

Botuar në Revistën VIP Albania, 2010

 

Post simili a questo:

Digital tools to speed up your work

  • Share:
, , , , , , , ,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.