PRESSURA

5 Qershor, 2023
5 Qershor, 2023 EJAlbum Albania

PRESSURA

6 fotografë, 4 fundjava nëpër qytete të ndryshme në prezencë, 3 muaj orientim dhe workshop-e me 6 mentorë dhe profesorë në prezencë dhe online, një super team, nje kurator, 6 projekte artistike dhe 1 ekspozitë. Pressura realizohet në kuadër të Smart Ballkans dhe është një risi e Fokus Award 2023.

Cënimi i lirisë së shtypit, mungesa e mediave të orientuara drejt gazetarisë sociale, buxhetet e reduktuara editoriale për reportazhe dhe përdorimi masiv i fotografive stock – akoma më gjërë rënia e besimit te shtypi, kontrolli i tij prej pushtetit dhe klientelizmi në sektor nga një anë si dhe rritja e rrezikut të fotogazetarëve duke u kthyer në objektiva nëpër konflikte prej nevojës po të rritur për konsum imazhesh “spot”, rënia e interesit për lajme (apatia e publikut) dhe rritja e interesit për të ashtuquajturin “gossip”, rrjetet sociale dhe rritja eksponenciale e imazheve në to në anën tjetër janë vetëm disa nga faktorët që kanë minimizuar impaktin e punës sot duke rrezikuar të ardhmen e fotogazetarisë nesër, sidomos në trevat tona ku mungojnë krejtësisht amortizatorët social-kulturorë ndaj këtyre goditjeve si dhe përvoja në përballimin e tyre.

 

Të gjitha këto, ndikojnë më tej në mënyrë direkte dhe indirekte edhe në problematika konkrete të përditshme të cilat cënojnë vete shoqërinë në të sotmen, ruajtjen e Kujtesës dhe integrimin e shoqërisë shqiptare në atë euroatlantike në të ardhmen. Por fuqia e fotografisë (si medium) nuk ndryshon dhe zhbëhet nga këta faktorë dhe nga ana tjeter, sot teknologjia dixhitale u ofron fotografëve një liri krijuese që nuk e kanë pasur kurrë më parë. Shoqëria, në të gjitha nivelet e saja, vazhdon të dëshirojë tregimin vizual, “storytelling” vazhdon të bëhet gjithnjë e me i rëndësishëm në fotogazetari dhe art. Ata që mund të tregojnë një histori përmes imazheve, mbijetojnë në këtë treg, janë të domosdoshëm jo vetëm për sektorin, por kryesisht për shoqërinë tonë.

 

PRESSURA është një rezidencë artistike nomade me fotografë nga Shqipëria dhe rajoni. “Rezidenca Pressura” do të krijojë një ambient jo vetëm me karakter formativ, por edhe të favorizojë shkëmbimin kultural dhe profesional mes fotografëve, të forcojë shpirtin kritik, të ndihmojë këtë klasë profesionistësh që të orientohen drejt fotografisë sociale – si një sensibilitet artistik dhe një qëndrim drejt realitetit historik social bashkëkohor.

 

Objektiv thelbësor i projektit është që krahas natyrës hetuese të punës së tyre drejt së ashtuquajturës së vërtetë objektive/autoriale, fotografët të zhvillojnë një sens thellësisht të orientuar drejt narracionit (storytelling) si një mjet sa antik aq edhe modern për të treguar realitetin shpeshherë kompleks të rajonit tonë, si edhe të luftojnë dizinformimin publik duke autentifikuar realitetin sipas etikës dhe ndërgjegjes së tyre. Metodologjia e përdorur për mësimdhënien mikson ballafaqimin mes fotografëve, workshop-e në terren, masterclass (edhe online), prezantime punësh (portfolio) dhe realizimin e një projekti personal për çdo pjesëmarrës, i monitoruar nga një tutor apo kurator. Në fund të rezidencës, projektet e zhvilluara gjatë saj prej fotografëve do të shfaqen para publikut në një ekspozitë kolektive edhe ajo nomade, në disa qytete të vendit apo rajonit.

 

Nuk është shumë, por është një mundësi për pak fotografë që mund të ndryshojnë vizionin dhe pse jo edhe karrierën e tyre e me pas të kontribojnë për të ndryshuar shoqërinë tonë. Kjo është e domosdoshme.
Aplikoni në: info@ejalbum.com / info@fokusaward.com  me një ide mbi një reportazh social.

 

Shikoni edhe:

 

Motrat Zengo – Instalacion interaktiv / Videomapping

Europa ime