Gjatë kësaj jave, FamilyArtGuides organizoi dy workshop-e në kuadër të projektit “Kështjellat dhe Kalatë e Tiranës – Udhëzues për fëmijë dhe të rinj”.
Një prej takimeve u zhvillua me pedagogë dhe mësues të arsimit parauniversitar, ndërsa workshop-i i dytë u mbajt me studentë të arteve, duke krijuar dy hapësira të rëndësishme dialogu dhe bashkëpunimi rreth edukimit përmes trashëgimisë kulturore.
Udhëzuesit (guidat) si mjet inovativ dhe ndërdisipinar për aktivizimin e të mësuarit dhe të kuptuarit.
Workshop me pedagogë dhe mësues
Në kuadër të projektit “Kështjellat dhe Kalatë e Tiranës – Udhëzues për fëmijë dhe të rinj”, u zhvillua një workshop i dedikuar pedagogëve universitarë dhe mësuesve të arsimit parauniversitar, me synimin për të prezantuar në mënyrë të detajuar konceptin, objektivat dhe metodologjinë e iniciativës.
Takimi u fokusua në rolin e edukimit përmes Trashëgimisë Kulturore si një mjet i drejtpërdrejtë për forcimin e identitetit kombëtar dhe për zhvillimin e kompetencave qytetare tek fëmijët dhe të rinjtë. U prezantuan dy formatet e guidave, ai tradicional (print) dhe ai digjital, si instrumente didaktike të ndërtuara për dy grupmosha të ndryshme, me qëllim lehtësimin e përdorimit të tyre në klasë, në vizita studimore apo në aktivitete jashtëshkollore.
Momente nga workshopi:
Gjatë workshop-it u trajtuan përgatitja e materialeve historike e artistike, si dhe rëndësia e përfshirjes së shkollave në vizita të strukturuara pranë siteve si Kalaja e Tiranës (Fortesa e Justinianit), Kalaja e Petrelës, Kalaja e Prezës, Kalaja e Ndroqit apo rrënojat e Dajtit dhe Persqopit, duke i kthyer ato në laboratorë të hapur mësimi.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua dimensionit ndërkurrikular të projektit. Pedagogët dhe mësuesit ndanë përvoja mbi mënyrën se si historia, arti, gjeografia dhe shkencat sociale mund të ndërthuren përmes përdorimit të guidave, duke aktivizuar të mësuarin kuptimplotë dhe reflektimin metakognitiv tek nxënësit. U theksua gjithashtu rëndësia e tranzicionit nga “të lindur dixhitalë” në “qytetarë dixhitalë”, ku përdorimi i teknologjisë shërben si mjet ndërgjegjësimi dhe jo vetëm si konsum informacioni.
Workshop-i përforcoi bashkëpunimin mes ekipit të projektit dhe komunitetit arsimor, duke vendosur bazat për implementimin konkret të guidave në praktikën mësimore. Ai konfirmoi se ky projekt nuk është vetëm një botim apo një produkt kulturor, por një platformë afatgjatë edukimi, bashkëpunimi dhe ndërgjegjësimi shoqëror.
Guidat Muzeale për fëmijë dhe të rinj si mjet i rëndësishëm në praktikën e artit pamor
Workshop prezantues me studentët e UART
Në kuadër të projektit “Kështjellat dhe Kalatë e Tiranës – Udhëzues për fëmijë dhe të rinj”, gjithashtu u zhvillua një workshop prezantues me studentët e universitetit të arteve. Takimi shërbeu si një hap i rëndësishëm në ndërtimin e dialogut mes konceptit të projektit dhe kontributit krijues të brezit të ri.
Momente nga workshopi:
Gjatë workshop-it u prezantua në mënyrë të detajuar ideja, koncepti dhe objektivat e projektit, duke u ndalur veçanërisht tek rëndësia e edukimit përmes Trashëgimisë Kulturore dhe nevoja për krijimin e guidave të dedikuara për fëmijë dhe të rinj. Studentët u njohën me strukturën e guidave fizike dhe digjitale, me metodologjinë e dokumentimit në terren, si dhe me sfidat që lidhen me komunikimin e historisë tek grupmoshat e reja.
Një pjesë thelbësore e diskutimit ishte roli i dizajnit grafik, ilustrimit, fotografisë dhe teknologjisë në ndërtimin e një materiali didaktik bashkëkohor, të aksesueshëm dhe interaktiv. Studentët u ftuan të kontribuojnë me ide mbi identitetin vizual të guidave, mënyrën e organizimit të informacionit dhe qasjet kreative për ta bërë trashëgiminë më të kuptueshme dhe tërheqëse për fëmijët.

Workshop-i nuk ishte vetëm një prezantim formal, por një hapësirë bashkëbisedimi dhe reflektimi kritik mbi gjendjen aktuale të kalave dhe kështjellave të Tiranës, mbi mungesën e informacionit publik dhe mbi përgjegjësinë që arti dhe dizajni kanë në proceset e ndërgjegjësimit shoqëror. Përmes diskutimeve dhe ideve të para konceptuale, u hodhën themelet për përfshirjen aktive të studentëve në fazat e mëtejshme të projektit.
Ky takim konfirmoi edhe një herë se bashkëpunimi ndërdisiplinor është çelësi për realizimin e iniciativave me ndikim afatgjatë. Përfshirja e studentëve jo vetëm që pasuron projektin me energji dhe këndvështrime të reja, por e kthen atë në një proces edukativ të dyanshëm, ku të mësuarit dhe krijimi ecin paralelisht.
Ky projekt i FamilyArtGuides organizohet nga Shoqata MeWe dhe EJAlbum, me mbeshtetje te Bashkisë TIranë.
Shiko edhe: