Kështjellat dhe Kalatë e Tiranës – Prezantimi i projektit në Petrelë
20 Nëntor 2023 | Sheshi “Mamica”, Petrelë

Më 20 nëntor 2023, në Sheshin “Mamica” në Petrelë, u zhvillua eventi prezantues i projektit “Kështjellat dhe Kalatë e Tiranës – Udhëzues për fëmijë e të rinj” (Tirana Art Guides), një iniciativë që synon të afrojë brezat e rinj me trashëgiminë kulturore të qytetit përmes artit, ilustrimit dhe edukimit bashkëkohor.
I organizuar nga FamilyArtGuides, aktiviteti solli në një nga sitet më simbolike të zonës një pasdite dedikuar fëmijëve, familjeve dhe komunitetit lokal, për të prezantuar vizionin dhe qëllimet e projektit.
Një event për komunitetin
Aktiviteti në Petrelë nuk ishte thjesht një prezantim formal, por një takim i hapur me komunitetin. Fëmijët morën pjesë në aktivitete kreative, të frymëzuara nga arkitektura e kalave. Përmes këtyre formave interaktive, projekti u prezantua jo vetëm si një botim, por si një proces i gjallë edukimi dhe ndërgjegjësimi.
Zgjedhja e Petrelës si pikënisje kishte një simbolikë të veçantë: Kalaja e Petrelës përfaqëson një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë në zonën e Tiranës, një hapësirë ku historia, peizazhi dhe identiteti ndërthuren natyrshëm. Pikërisht aty, projekti mori formë publike për herë të parë, duke e vendosur trashëgiminë në qendër të vëmendjes së familjeve dhe të rinjve.
Edukim përmes trashëgimisë
Qëllimi i projektit është të forcojë ndjenjën e identitetit dhe përkatësisë përmes njohjes së objekteve të trashëgimisë kulturore. Në një kohë kur informacioni qarkullon kryesisht përmes ekranit, “Tirana Castles” propozon një rikthim te territori, te eksplorimi fizik i hapësirës dhe te mësimi përmes përjetimit.
Guidat do të shërbejnë si mjete didaktike për shkollat, mësuesit dhe prindërit, duke krijuar mundësi për shëtitje edukative, laboratorë kreativë dhe aktivitete ndërdisiplinore që lidhin historinë, gjeografinë, artin dhe shkencat sociale.

Një hap drejt së ardhmes
Eventi shënoi nisjen zyrtare të komunikimit publik të projektit dhe hapjen e një dialogu me komunitetin mbi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë sonë kulturore. Ai konfirmoi nevojën për iniciativa që e vendosin fëmijën dhe të riun në qendër të proceseve kulturore, jo thjesht si spektatorë, por si pjesëmarrës aktivë.
Ky projekt organizohet nga Shoqata MeWe dhe EJAlbum, me mbeshtetje te Bashkisë TIranë.
Shih edhe: