Oliviero Toscani në Shqipëri

Oliviero Toscani në Shqipëri

Në takimin e dytë të projektit “Ditët e Fotografisë Italiane në Tiranë”, mundësuam një takim mes fotografëve, artistëve dhe publikut të gjërë shqiptar dhe një tjetër fotografi me famë botërore, artistin Oliviero Toscani. Këto janë disa fotografi nga eventi, videon zyrtare do e gjeni në një postim tjetër në blog. Më poshtë kemi shkëputur një pjesë nga fjalimi i hapjes së eventit, fjalë nga PR i EJAlbum, Julinda Mbrica:

“Për ne të EJAlbum, megjithëse tashmë kemi krijuar një traditë në organizimin e këtyre aktiviteteve, gjithsesi çdo herë është e veçantë dhe unë sot ndihem paksa krenare por edhe disi e frikësuar për përmasat që tashmë mori kjo nismë e filluar thjesht nga dëshira jonë për të sjellë në Shqipëri fotografinë më të mirë botërore, në të gjitha format e saj.

Oliviero Toscani është një mit për të gjithë ne që merremi me artin, madje për mua që punoj në sektorin e advertising është akoma më shumë, sepse në atë sektor jo vetëm jemi rritur me punën e tij, por në një farë mënyre edhe na duhet të ballafaqohemi shpesh me atë punë. Në një farë mënyre është edhe një sfidë. Dhe ja ku jemi sot ku më duhet pikërisht të prezantoj para klientëve tanë në EJAlbum dhe para gjithë ju që jeni sot të pranishëm, etapën e dytë të një projekti që falë edhe punës së një stafi të mrekullueshëm, pothuaj të gjithë vullnetarë, dhe falë bashkëpunimit me një institucion të rëndësishëm dhe me lejoni, me një staf gjithashtu të mrekullueshëm, si Instituti Italian i Kulturës, arrin të bëjë diçka që besoj do mbetet ndër projektet më të bukura që unë personalisht kam drejtuar, por që gjithashtu besoj edhe per ju duhet të jetë ndër më interesantët.

Idea në thelb të këtyre takimeve është të jenë sa më të dobishëm për fotografët tanë, por edhe sa më demokratike. Ja pse nuk kemi dërguar ftesa të bukura për njerëz vip apo nuk kemi bërë pritje a party në ndonjë lokal chic. Nuk kemi asnjë qëllim tjetër si kompani në realizimin e këtyre takimeve përveçse ndarjen e eksperiencës, eksperiencë kjo e domosdoshme për të na rritur të gjithëve profesionalisht. Dhe sepse ne si kompani besojmë verbërisht tek vlera e shtuar e artit. Dhe besojmë verbërisht tek fotografia, tek roli i saj i çmuar në dokumentimin e asaj që Toscani e quan më mirë se të gjithë: kushtet e racës humane.

Përveç këtyre që theksova më lart, kam edhe një arsye tjetër paksa personale që insistova të jetë Oliviero sot mes nesh dhe qe ka lidhje me këtë libër që kam ndër duar. Ndër librat më të mirë mbi tragjedinë e gjysmës së popullit shqiptar, luftën në Kosovë dhe eksodin e refugjatëve që ndodhi me të. Në atë kohë punoja si psikologe për Handicap International dhe u përballa personalisht me atë dramë, gjë që me ka mbajtur të lidhur përherë për të mos harruar atë periudhë. Dhe prandaj dua t’ju citoj diçka nga fjalët e Toscanit në parathënien e librit, fjalë që përshkruajnë saktë filozofinë e punës dhe jetës së tij dhe që për mua janë një citim të cilit i rikthehem herë pas here:

“Arti nuk është tjetër veçse një paraqitje e gjendjeve humane ekstreme. Nëpërmjet artit kemi mësuar se ka një bukuri edhe në atë që nuk do donim të shihnim kurrë, madje ajo bukuri na tërheq në mënyrë gati patologjike: kryqëzimet, betejat, masakrat, vdekja, prerja e kokës, seksualiteti i devijuar janë subjektet kryesore të pikturës antike. I sodisim, duke soditur bukurinë. Fotografitë nuk janë tjetër veçse një grumbullim fytyrash, peisazhesh, objektesh: nëse flasin për tragjedi, më mirë të hiqen sesa të shihen me vëmendjen që i dedikojmë pikturës antike, në mënyrë që të plotësohet edhe ai emocion estetik për të cilin vazhdojmë të kemi nevojë, gjithsesi”.

Ia kemi besuar Armando Babanit prezantimin e fotografit të ftuar, sepse mendojmë që ka një koherencë në punën e tij prej dekadash si fotoreporter në kërkim të së vërtetës dhe mbi të gjitha është fotografi shqiptar që më shumë së të gjithë përdor fotografinë jo vetëm për të dokumentuar realitetin, por si Toscani, e përdor për atë që është në të vërtetë: një ndërmjetës, një mjet komunikimi. Dhe për të na bërë, ashtu si Toscani, të shohim qartë atë që fshehim nga sytë përditë në realitetin tonë.
Dhe dua të falenderoj të gjithë Ju që keni ardhur sot këtu, klientët tanë të mrekullueshëm, Institutin Italian të Kulturës dhe veçanërisht Oliviero Toscani për këtë dhuratë të çmuar që na ka bërë.

Faleminderit.

Shih edhe:

Ferdinando Scianna në Shqipëri

  • Share:
, , , , , , , , , , , , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.