22 Tetor, 2022 EJAlbum Albania

“We The Peoples – 999 Portraits by David Cuka” Ekspozite

 

David Cuka është një artist shqiptar i cili ka zgjedhur mediumin e fotografisë për të dokumentuar kryesisht aspekte që lidhen me të drejtat e njeriut. Në projektin “999 Portrete” ai e ka përqendruar objektivin e aparatit para personazheve duke i ftuar të jenë vetvetja, pa bërë kurrfarë diferencimi, në asnjë aspekt. David Cuka ka zhvilluar dhe publikuar gjerësisht punën e tij në mediat vendase dhe europiane si dhe ka çelur disa ekspozita në Shqipëri. Me anë të fotografisë, artisti rrit dhe promovon ndërgjegjësimin mbi barazinë sociale, të drejtat e grave, advokon kundër diskriminimit të komunitetit LGBTI+ në vend e rajon, komunitet të cilit ai vetë i përket, si person transgjinor.

Përfaqësimi i asaj çka na bën unikë – kjo është puna kërkimore-fotografike e David Cukës. Artisti punon me portretin duke i kushtuar vëmendje frakturave sociale po aq sa gjendjeve emocionale, karaktereve po aq sa përkatësive, fragmenteve dhe detajeve po aq sa kontekstit. Cuka kërkon të ndikojë në mënyrë incizive në të tashmen, jo thjesht ta riprodhojë apo dokumentojë atë dhe i gjithë projekti zhvillohet në kërkim të arketipit dhe frymës së Njerëzimit, përmes diversitetit dhe unicitetit të Qenies. Fotografitë e këtij projekti janë fryt i një pune të gjatë me subjektet, i një përfshirjeje emocionale me ta dhe i një kujdesi të veçantë në përzgjedhjen e tyre. Fotografitë shndërrohen kështu për artistin në objekte të marrdhënies midis realitetit dhe figurimit të tij. E akoma më shumë, ato fotografi kthehen në mjete ndërmjetësimi në marrëdhëniet mes njerëzve – ato aktivizojnë ato marrëdhënie.

999 portrete, të cilat mbushin hapësira urbane të rëndësishme në Tiranë, por që mund të mbushin çdo shesh apo hapësirë publike kudo në botë, krijojnë për qytetarët rrugëtime (përvoja) dhe stimulojnë procese të individizimit, i cili sipas Jung-ut nuk e përjashton aspak, përkundrazi, e përfshin botën. Përthyerja Gelstiane e kodeve të gjuhës dhe të shenjës, fotografitë thuajse krudo, te papërpunuara – e kundërta e botës fotozhenike të miliarda portreteve të rrjeteve sociale – kompozimi dhe prerja jo e standardizuar nga po ato rrjete sociale, ekspozimi në hapësirën publike ku personazhet e Davidit më së shumti projektojnë jetët e tyre, të gjitha këto janë premisa për ta çuar vizitorin të përjetojë shumë më tepër se thjesht shumatoren e 333 apo 999 fotografive të cilat përbëjnë ekspozitën.

Labirinti njërëzor në të cilin futen vizitorët, i cili simbolikisht përfaqëson shkronjat UN (United Nations) është edhe ai një instrument aktivizimi për një udhëtim të brendshëm, shpirtëror, në dimensionin individual dhe në të njëjtën kohë atë kolektiv. Kjo, për të mos harruar asnjeherë se abnegimi prej përkatësisë ndaj njerëzimit si një i tërë nxit mekanizmat e urrejtjes. Për të mos harruar asnjëherë se indiferenca apo edhe thjesht mosdija mund të veprojnë si trampolinë drejt intolerancës. Për të mos harruar asnjëherë se heshtja përballë konditave humane (edhe ato ekstreme), heshtja ndaj abuzimeve dhe padrejtësive, heshtja ndaj të drejtave të njeriut, shpreh bashkëfajësinë ndaj asaj dhune apo atyre padrejtësive.

Ekspozita “We The Peoples” sublimon sfidat bashkëkohore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke filluar nga titulli i saj i cili kremton njerëzimin në të gjithë diversitetin e tij dhe e frymëzon atë për një botë më të drejtë. Ekspozita synon të paraqesë në një mënyrë figurative sesi uniteti, bashkëpunimi dhe dialogu janë mjetet e vetme për të zbatuar me vetëdije një ndryshim i cili përkthehet në një frymë të vetme kolektive, dukshëm e shfaqur në veprën korale dhe ambicioze të artistit David Cuka.