Sofia dhe Androniqi Zengo – Ekspozitë në Korçë
Instalacion interaktiv / Videomapping
Salla Multimediale e Bibliotekës, Korçë (AL)
Një eksperiencë zhytëse në art.
Ky projekt nis nga Sofia dhe Androniqi Zengo, piktoret e para profesioniste në Shqipëri dhe familja e tyre, një dinasti artistësh shqiptarë, por ne zgjedhim ta bëjmë atë një eksperiencë tërësisht zhytëse në art. Në fakt duke u nisur nga teknika e video-mapping, falë teknologjisë së videoprojeksionit në sallën e dedikuar multimediale në Korçë, mundësohet personalizimi dhe dhënia e një karakteri unik një ekspozite mahnitëse me punimet e familjes Zengo në qytetin e tyre. Ekspozita i afron këto dy autore dhe artin tradicional shqiptar me një publik krejt tjetër. Dhe në një mënyrë tjetër.
Dhe akoma më shumë: Metodologjia e zgjedhur për këtë projekt është ajo laboratorike dhe më konkretisht projekti synon të realizohet nëpërmjet shkëmbimit të përvojës mes profesionistëve dhe të rinjve të talentuar të qytetit. Qëllimi nuk është thjesht transferimi i njohurive apo aftësive, por aftësimi i të rinjve që të mësojnë në mënyrë të pavarur, duke bërë kështu, që përmes këtij projekti të rriten kapacitetet si dhe të afrohen të rinjtë me një botë jo vetëm interesante për ta, por edhe një mundësi reale dhe konkrete në tregun e punës. I gjithë programi didaktik ishte i ndarë në disa etapa, teorik, praktik në distancë dhe sigurisht në përgatitje.
Përtej gjithçkaje, ajo mbetet një vepër eksperimentale dhe një risi absolute në Shqipëri dhe ekspozita është një eksperiencë unike dhe e paharrueshme. E gjithë kjo ndodhi falë një ideje të madhe, artistëve të mëdhenj të përfshirë dhe një stafi e institucione fantastike dhe shumë të motivuar që besojnë në ndryshimin e një paradigme, ku arti është motor jo vetëm i kulturës, por edhe i ekonomisë së një vendi.