Urime nga EJAlbum
2021 është në çastet e fundit dhe si përherë duam të ndajmë me ju një kartolinë dhe një urim të sinqertë për Vitin e Ri. Duke uruar që ky mesazh t’ju gjejë mirë pranë familjes dhe të dashurve tuaj dhe para një tavoline të shtruar për festë.
Në EJAlbum besojmë se vitet që po lemë pas na mësuan tashmë se jeta nuk mund të jetë vetëm mbijetesë por duhet të përmbajë ëndrra, ambicie, emocione, momente të paharruara, dashuri dhe pse jo, lumturi. Arti në një farë mënyre është pasqyra e këtyre emocioneve. Por në EJAlbum besojmë se arti është akoma më shumë. Përmes artit, ne hetojmë problemet që prekin shoqërinë bashkëkohore duke kerkuar të rrisim ndërgjegjësimin e publikut. Shumë prej projekteve apo ekspozitave tona trajtojnë çështje akute, shqetësuese, jetike. Shpeshherë ato janë globale – nga emergjenca klimatike, ringjallja e nacionalizmit, ndikimi gjithnjë e më i përhapur i mediave dhe rrjeteve sociale, rritja hiperbolike e pabarazisë ekonomike, etj. Shpeshhere ato jane lokale – ftojnë publikun të reflektojë mbi abuzimin e pushtetit, mbi sistemin dhe shoqërinë në të cilën jetojmë, ku interesat ekonomike mbizotërojnë mbi atë që duhet të jetë e mira e komunitetit, në të gjitha drejtimet e mundshme. Dhe akoma më tej, ne e konceptojmë artin si aktivizim, qëndrim dhe shprehi e betejave të përditshme dhe protestës për një botë më të mirë, për të gjithë.
Ajo që besojmë më tej është se tashmë, vitet që po lemë pas i kanë bërë njerëzit akoma më të vetëdijshëm se të gjithë duhet të ndryshojm – duhet të ndryshojmë mënyrën si punojmë, mënyren si sillemi, mënyren si jetojmë.
Kjo është “kartolina” jonë për vitin 2022. Kjo është edhe dhurata jonë për qytetin, vendin, shoqërinë tonë. Ndërrimi i viteve do ta gjejë qytetin pak më të bukur. Pastaj gjithkush do ta shohë realitetin dhe këtë kazan plehrash në mënyrën e tij. Në fund të fundit, arti nuk ka asnjeherë për detyrë të demonstrojë diçka, maksimumi synon të sugjerojë. Në një vit tjetër të tmerrshëm për artistët dhe sektorin tonë, në EJAlbum vazhduam të bënim sugjerime të reja dhe vullneti ynë është të vazhdojmë së bashku dhe të mos ndalojmë asnjëherë ta bëjmë këtë gjë. Kështu, kjo kartolinë është sugjerimi yne i fundit për këtë vit.
Gëzuar 2022!