Organizuar nga: Pressura Nomadic Art Colony dhe Gallery Of Contemporary Art Tirana
Komunikatë për shtyp:
29.10.2024 – 18.30
Mbyllja e ekspozitës
Në nderim të Paul Lowe
I lindur në Britaninë e Madhe në vitin 1963, Paul Lowe la trashëgiminë e tij si fotoreporter, akademik, shkrimtar dhe kritik. Ndër shumë çmime dhe arritje të rëndësishme, ai është nderuar me çmimin ‘Vic Odden’ të Shoqatës Mbretërore të Fotografisë në vitin 1999 dhe ‘World Press Photo’ në vitin 1993. Anëtar i ‘VII Agency’, i përfaqësuar nga Panos Pictures, puna e tij u botua ndër të tjera në ‘New York Times’, ‘Newsweek’, ‘Life’, ‘The Sunday Times Magazine’, ‘The Observer’ dhe ‘The Independent’. Gjithashtu ai ishte profesor i “Konfliktit, Paqes dhe Imazhit” në Universitetin e Arteve në Londër, ku drejtonte programin e Diplomave Master, botërisht të njohur, të fotografisë dokumentuese. Përpara karrierës së tij si lektor, Lowe punoi si fotoreporter mes viteve 1980 – 2000, në më shumë se 80 vende të botës. Paul Lowe dokumentoi dhe dëshmoi rënien e Murit të Berlinit, shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, lirimin e Nelson Mandelës në Afrikën e Jugut, zinë e bukës në Afrikë, shkatërrimin e Groznit në Rusi…
Por ishte puna e tij në Sarajevë gjatë viteve 1992-96, ku ai dokumentoi rrethimin e këtij vendi, e cila pati një rëndësi të veçantë, duke u përkthyer edhe në një ekspozitë që u shfaq këto dy muajt e fundit në Galerinë e Artit Bashkëkohor të Tiranës. Në këtë ekspozitë Lowe u ndje veçanërisht krenar për prezantimin e imazheve në formate të mëdha, foto që u shfaqën më shumë se 30 vite pasi u shkrepën.
“Gjatë rrethimit të Sarajevës, jam përpjekur të dokumentoj përvojën e jetuar të qytetarëve të të atij vendi. Me këtë ekspozitë në Tiranë dua të rrëfej për qëndresën e tyre, guximin, humorin, krijimtarinë dhe energjinë, përballë agresionit me të cilin u përballën”, – tha ai për publikun gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës në Tiranë.
Paul Lowe ndërroi jetë tragjikisht në malin San Gabriel të Kalifornisë, vetëm pak ditë më parë, më 12 tetor 2024. Ishte një nder i madh ta kishim atë në Tiranë me atë që konsiderohet tanimë ekspozita e tij e fundit, ndaj kjo ditë që përmbyll ekspozitën do t’i kushtohet atij, në nderim të dëshmisë dhe poezisë së tij vizuale që na ka shoqëruar gjatë këtyre dy muajve të fundit. Takimi do të hapet me një fjalim kuratorial mbi rëndësinë e veprës së Lowe, e më pas do të shfaqet një dokumentar mbi ‘Rrethimin e Sarajevës’, ku Paul me fjalët e tij na lë një dëshmi të rrallë dhe të çmuar.
Rreth ekspozitës:
Ekspozita qendroi e hapur për publikun për dy muaj, prej datës 3 shtator dhe në datën 28 tetor 2024. Kjo ekspozitë hedh një dritë mbi pabarazitë, padrejtësitë dhe paqëndrueshmërinë e epokës tonë. Ajo na ofron një vështrim intim mbi jetë shpeshherë të injoruara, të anashkaluara, të padukshme dhe e bën këtë nëpërmjet një eksplorimi të thellë të elasticitetit njerëzor dhe kërkimit të kuptimit të egzistencës njerëzore. Fotografitë dhe videot e përzgjedhura për ekspozitën ndërveprojnë mes tyre dhe me publikun duke ofruar një eksplorim të shumëanshëm të temave sociale, nga betejat intime individuale deri te lëvizjet më të gjera shoqërore, të cilat formojnë botën tonë.
Artistë në ekspozitë:
– Paul Lowe: Rrethimi i Sarajevës
– Seamus Murphy & P.J. Harvey: Në pëllëmbë të dorës
– Burim Myftiu: Shenjtorët e Zakonshëm
– Bevis Fusha: Sëmundja terminale e shpirtit
– Fabrizio Bellomo: Anulloje Ligjin
E gjithë ekspozita u konceptua dhe ndërtua site specific, përshtatur plotësisht me kontekstin e Gallery of Contemporary Art Tirana, të ish-Piramidës së Tiranës dhe më gjerë, të shoqërisë shqiptare, duke hedhur një dritë mbi pabarazitë, padrejtësitë dhe paqëndrueshmërinë e epokës tonë. Në këto dy muaj që qendroi e hapur, ekspozita na ofroi një vështrim intim mbi jetë shpeshherë të injoruara, të anashkaluara, të padukshme, duke e bërë këtë gjë nëpërmjet një eksplorimi të thellë të elasticitetit njerëzor dhe kërkimit të kuptimit të egzistencës njerëzore. Fotografitë dhe videot e përzgjedhura për ekspozitën ndërvepruan mes tyre dhe me publikun duke ofruar një eksplorim të shumëanshëm të temave sociale, nga betejat intime individuale deri te lëvizjet më të gjera shoqërore, të cilat formëzojnë botën tonë.
Ekspozita vjen si veprim publik i “Pressura – Kolonia Nomade e Artit”, themeluar para dy vitesh nga EJAlbum dhe një grup artistësh dhe intelektualësh, e cila synon jo vetëm të tregojë nëpërmjet fotografisë dhe artit peizazhet socio-politike të kohës sonë, por edhe të provokojë mendime dhe dialog, duke inkurajuar artistët të marrin në konsideratë rolet e tyre brenda shoqërisë. Në këtë ekspozitë, duke bashkuar në një mënyrë bashkëkohore fotografinë sociale me videon, e më tej me një program të plotë takimesh mes artistësh dhe ligjëratash, Pressura nxjerr në pah çka është sot inovative në artet vizive dhe sesi artistët vazhdojnë të dokumentojnë ngjarjet por edhe të tentojnë të ndikojnë botën përreth tyre.
Poezia e Fotografisë Sociale është Pulsi i Shoqërisë tonë. Fotografia sociale është më shumë se një përpjekje artistike; është një mënyrë jetese bazuar tek dokumentimi i konditave humane dhe tek aktivizmi shoqëror, politik dhe artistik. Ekspozita pra, nënvizon rëndësinë e këtij mediumi në nxitjen e ndërgjegjësimit për ndryshim, duke sjellë në plan të parë çështjet më urgjente sociale.