BEHIND THE CURTAIN THERE ARE OTHER CURTAINS

19 Qershor, 2024
19 Qershor, 2024 EJAlbum Albania

BEHIND THE CURTAIN THERE ARE OTHER CURTAINS

Naim Spahiu | Solo Show

Në këtë ekspozitë – një ndërhyrje specifike nga Naim Spahiu në hapësirat e Open Art Gallery në Prishtinë – hasim në një cikël të ri punësh dhe territoresh të paeksploruara më parë ku teknika dhe materiali janë të lidhura ngushtë me një proces të gjatë dhe në fund rezultojnë në një manifest publik të artistit. Punët janë pjesë e ciklit “Notarët e Kohës”, një eksplorim i marrëdhënies midis kohës dhe përvojës njerëzore, ku piktura mund të jetë një kujtesë e fuqishme e rrugëtimit njerëzor dhe ku artisti ndërhyn çdo herë më një rezultat të ndryshëm nga tjetri, por specifik për qëllimin e ekspozitës me të gjitha dallimet dhe ngjashmëritë e përceptuara. Pikturat e Naim Spahiut, përcjellin një metaforë të fuqishme transmaterializimi, ku materiali në pikënisje është pra i modeluar nga koha ku artisti më pas zhytet për të na dhënë një lexim tjetër, metaforik, i cili më pas transformohet në një material krejtësisht tjetër, i gjuhës piktorike. Metafora është këtu diçka akoma më shumë, lidhja abstrakte e një shtresëzimi me një tjetër, e një perdeje me një tjetër, e një niveli përceptimi me një tjetër – për publikun kthehet në një ndjesi që e mban atë pezull mes gjuhës së shprehur dhe materialitetit.

Titulli i ekspozitës ndihmon të kuptuarit e konceptit, po aq sa dyzon publikun në përceptime të tjera të perdes, mes nocionit të një tekstili të varur dhe nocionit të një muri, të një kufiri. A nuk vallë ishtë një kufi fizik, i pakalueshëm edhe Perdja e Hekurt e shekullit të kaluar? E mos vallë një herë e kaluar ajo, nuk ndeshëm në kufij të tjerë – fizik dhe mental – të papërceptuar më parë? E këtu, kjo ndërhyrje artistike na afron në territorin tonë, na njehson me të, mendja jonë kombinon atë që shprehet me atë që fshihet në një ide hibride, ku është e pamundur të ekzaminosh një pikturë pa krahasuar atë që dijmë me atë që nuk dijmë – transmaterializimi i Spahiut nuk kërkon gjuhën artistike për të shprehur abstraksionin e realitetit tonë, në të kundërt, ai përcjell idenë e tij të kufijve përtej materialit dhe procesit – ajo çka lind për të qënë brenda del jashtë dhe e kundëra, çka është jashtë na “zhyt” më thellë brenda. Arti publik i Naim Spahiut kthehet kështu në një art thellësisht politik, punët e tij janë procese metaforike që përfaqësojnë tranzicione dhe zbulime, nga një realitet në tjetrin.

Pas një muri ka mure të tjera” është një thirrje e fuqishme e cila bën akoma më shumë – vazhdon punën e jashtëzakonshme të Open Art Gallery e cila krijon një lidhje të drejtpërdrejtë dhe humane me lagjen periferike ku ndodhet. Kjo ekspozitë synon të shkrijë më tej kufijtë midis hapësirës publike dhe private, duke angazhuar komunitetin lokal në një dialog të hapur dhe të sinqertë për ndikimin e artit, politikës, pushtetit, shoqërisë në tema akute për periferitë e qyteteve- tema si homologimi kultural, gentrifikimi, nacionalizmi, migrimi, etj. Ky aspekt publik i ekspozitës synon të krijojë një hapësirë ku përtej “publikut të artit” të kryeqytetit të Kosovës, edhe banorët apo njerëzit e zakonshëm mund të reflektojnë aktivisht mbi barrierat që i rrethojnë – ato jashtë dhe ato brenda tyre – në një angazhim komunitar.

 

Rreth Artistit:

Naim Spahiu ka lindur në Mitrovicë në vitin 1978 dhe ka diplomuar për pikturë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës në vitin 2002, në klasën e prof. Esat Valla. Pas diplomimit, ai vazhdoi studimet pasuniversitare (Magjistraturë) dhe në vitin 2005 fitoi titullin Magjistër i Pikturës.  Nga viti 2003, ai punon në Galerinë Kombëtare të Kosovës, fillimisht si koordinator për ekspozita, Ud.i Drejtorit gjatë viteve 2021 – 2022 dhe kurator i Galerisë në ditët e sotme. Puna e artistit është e shpërdnarë kudo, nëpër koleksione të ndryshme private dhe shtetërore në Kosovë dhe jashtë saj. Vlen këtu të theksohet se Muzeu i Glaisdorfit në Austri ka tre vepra të Naim Spahiut në koleksionin e tij. Mban mbi supe plot 13 ekspozita personale, 7 prej tyre janë ekspozita ndërkombëtare dhe ka pjesëmarrje në mbi 100 ekspozita kolektive në Kosovë dhe vendet e ndryshme të Evropës. Aktualisht, artisti vazhdon studimet në PHD, ne Fakultetin Pedagogjik në Maqedoninë e Veriut, për Metodologjinë e Artit dhe Humanistikën.

 

Naim Spahiu | Solo Show

Hapja e Ceremonisë: 19.06.2024

Open Art Gallery Prishtinë (KS)

Kuratorë: Ardian Isufi | Elton Koritari