FLAVIO BANDIERA – Intervistë për EJAlbum
Botuar nga revista Ti Sposi.
- Flavio të falenderoj për këtë intevistë. Fillojmë menjëherë me ndonjë gjë për t’u thënë lexuesve për Shqipërinë? E njeh këtë vend?
Shqipëria është një nga vendet që nuk e kam vizituar ende, megjithëse do të dëshiroja ta bëja këtë dhe shpresoj që të kem mundësinë së shpejti. Unë besoj se është një vend unik por gjithashtu që është afër kulturës italiane. Do më interesonte do të dëshiroja ta njihja, edhe për qëllimet e punës sime.
- Në Shqipëri mënyra italiane e organizimit të martesës me kujdesin për detajin është shumë e njohur dhe moda italiane për veshje, ftesa, konfeta etj. është shumë e ndjekur. Por dasmat tona ndonjëherë zgjasin 2-3 ditë, pas ceremonisë ne kërcejmë për orë e orë të tëra deri në mëngjes dhe më pas ka disa tradita si: djegia e një shamie për dhëndrin duke vallëzuar, ceremonia e të shkuarit me krushqit të gjithë së bashku për të marrë nusen të djelën në në mëngjes etj. Si të duket të fotografosh një event të tillë?
Po, në fakt, kur i referohesha Shqipërisë me fjalën unike, do të thoja pikërisht këto karakteristika. Kontakti me kultura të ndryshme, zbulimi dhe dokumentimi i zakoneve dhe traditave që janë larg nga tonat, përfaqëson një pasurim të njohurive të një personi dhe një stimul krijues mjaft interesant.
Me kalimin e kohës, jam gjithnjë e më i bindur se në një rrugë të rritjes personale është e rëndësishme që një fotograf të zgjerojë panoramën e tij të njohurive, duke zbuluar dhe analizuar traditat e reja që stimulojnë pasurimin kulturor. E gjithë kjo kontribuon fuqimisht në formimin e një përvoje që ju lejon të përballeni me dasma në çdo pjesë të botës me kuriozitet.
- Flavio, konsiderohesh një nga fotografët më të rëndësishëm të dasmave në Itali dhe madje në listën e 350 fotografëve më të rëndësishëm në botë. Si bëhet një fotograf i mirë i dasmave?
Mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje pa hezituar: me një pasion të pakufishëm. Është pasioni që ju mbështet dhe ju shtyn të tejkaloni vështirësitë të cilat hasni çdo ditë. Sidomos sot, kur fotografit nuk i kërkohet më vetëm të jetë një profesionist i aftë, por edhe një sipërmarrës i zoti. Për të kapërcyer sfidat e një tregu gjithnjë e më të ashpër, ai duhet të zotërojë aftësi menaxheriale dhe marketing, të kujdeset për aspektet teknike, azhornimet e vazhdueshme të mjeteve, trajnimet dhe të gjithë parametrat e tjerë që rrotullohen brenda një kompanie. Duke koordinuar të gjithë elementët, me siguri mund të arrihen rezultate të rëndësishme, në të gjitha nivelet.
- Në lidhje me këtë, ke ndonjë këshillë për fotografët e rinj që dokumentojnë një ngjarje kaq të rëndësishme për jetën e një çifti?
Sigurisht që po. Këshilla e parë që mund të jap është të çlironi mendjen tuaj nga paragjykimet. Çdo dasëm ka veçantinë e saj dhe ajo ngjarje është unike për çiftin por edhe për fotografin. Çdo herë ai do të gjejë drita, njerëz, shpesh edhe ambiente të ndryshme. Prandaj është e rëndësishme të vlerësoni gjithçka dhe të maksimizoni ato që keni në dispozicion për të arritur rezultate të ndryshme dhe më të mira çdo shërbim. Kërkoni risi edhe nëse nuk përputhet me atë që është bërë përherë, shkoni përtej idesë së parë që ju vjen në mendje dhe ky është sugjerimi që unë u jap gjithmonë pjesëmarrësve të seminareve të mia.
- Dhe meqë jemi këtu: ndonjë këshillë edhe për nuset dhe dhëndërit, duke imagjinuar se ke parë shumë në karrierën tënde?
Unë do të doja të përfitoj nga kjo pyetje për të përsëritur atë që u them zakonisht klientëve të mi: pse të organizoni me të tillë kujdes një ngjarje kaq unike për jetën tuaj, e cila do të mbledhë shumë të dashur përreth jush dhe do ju lumturojë si kurrë më parë në jetë, të gjithë këtë pa lënë një dëshmi po aq të vyer për brezat tuaj dhe ju vetë? Ndër detajet e shumta të një dasme, duket e pabesueshme ta thuash, por mbase është pikërisht fotografi që të luajë një nga rolet më të rëndësishme. Gjithçka kalon, fotografitë dhe kujtimet tuaja do ju shoqërojnë gjithmonë.
- Cili është tendenca e fotografisë së dasmave për momentin, çfarë kërkojnë sot çiftet në Itali dhe në botë?
Vitet e fundit, shija dhe dëshirat kanë ndryshuar shumë shpejt, si mes fotografëve ashtu edhe klientëve. Ndoshta është rezultat i ndikimit të komunikimit që na rrethon, i cili krijon dhe formon stile të reja kryesisht duke përdorur imazhe. Një tregues i fortë vjen nga vendet anglo-saksone, ku me kalimin e kohës nevoja është rritur, në ditën e dasmës, për t’iu përkushtuar pothuajse ekskluzivisht të ftuarve. Kjo ka ndryshuar edhe punën e fotografit, i cili duke u përshtatur ka ndryshuar stilin e tij drejt fotografisë spontane, një dëshmi jo invazive e cila lejon të tregoni ngjarjen pa ndikuar në atë që po ndodh. Unë e shoh këtë zhanër fotografik shumë stimulues, veçanërisht nëse kombinohet me një hulumtim dhe një stil të veçantë, të cilin disa fotografë në botë e kanë arritur të bëjnë me imazhet e tyre.
- Vijmë tek dyshimi i madh: sipas mendimit tënd, album tradicional apo dixhital?
Padyshim që numrat janë të qartë. Bota e fotografisë së dasmave po shkon totalisht drejt albumeve dixhitale, avantazhet janë të dukshme dhe të pa diskutueshme. Unë në veçanti kam zgjedhur Album Epoca, një sistem që kombinon teknologjinë e përparuar dhe cilësinë artizanale e punës me dorë.
- Dhe së fundi: si duhet të duket albumi i dasmave i një çifti të ri të sapo martuar, çfarë nuk mund të mungojë kurrë në të?
Nuk mund të humbasë emocionin dhe habia. Dhe këta elementë të pamungueshëm janë diçka që së pari duhet të vijë natyrshëm nga vëtë subjektet (padiskutim kjo gjë) por në mënyrë të rëndësishme edhe nga fotografi. Nëse dashuria për njëri tjetrin e dy të sapomartusve bie në kontakt me punën e një fotografi i cili e dashuron atë që bën, është e pamundur që diçka të mungojë nga albumi i një çifti të ri. Jam i sigurt për këtë gjë.
Materiali dhe intervista janë përgatitur nga Julinda Mbrica për EJAlbum dhe Ti Sposi Magazine.