Creative Morning Tirana kishte të ftuar për këtë muaj administratorin e EJAlbum i cili foli para publikut mbi temen Moment. Në këtë link gjeni videon e plotë të leksionit ndërkohë që Eltoni e shpjegon kështu në pak fjalë: – “Në gjithë këto vite, rastet e jetës më kanë afruar me fotografinë në çdo aspekt të saj. Kështu, kam pjekur bindjen që fotografitë thjesht në dukje lindin nga një akt kreativ i momentit i cili gjenerohet dhe konsumohet në çast. Fotografia, qoftë edhe vetëm për natyrën e saj të çastësishme, kap një moment nga fluksi i kohës dhe ja dorëzon atë përjetësisë, pra më mirë se çdo formë e artit viziv arrin të kuptojë humbjen e sensit të kohës – një shenjë e dallueshme kjo e “modernitetit tone liquid”. Stephen Hawkin thotë që njerëzimi po përjeton momentin më të rrezikshëm që nga koha e egzistencës së tij. Në Shqipëri rreziku është material mjaft i mirë barsaletash. Hawkin shton gjithashtu që asnjëherë si në këtë moment, njerëzimi nuk ka patur nevojë më së shumti që njerëzit të punojnë së bashku. Është e qartë se koordinatat e momentit e bëjnë të vështirë që kjo të ndodhë në nivel global, duke e bërë, në të kundërtën, të domozdoshëm në mikrokozmosin tonë të përditshëm. Pa harruar asnjëherë që pikërisht kur papritur i dorëzohemi vetvetes që arrijmë të jetojmë momentet më të rëndësishme dhe të paharrueshme të jetës tonë!”.