Ky artikull në blogun tonë është një tribut për nje bashkëpunim mjaft interesant dhe te frytshëm qe gjatë këtyre dy viteve kemi patur me këtë revistë dhe këta të rinj të apasionuar mbas fotografisë. EJAlbum ka lindur nga pasioni për fotografinë, pikërisht si Fotopasion. Ky ishte numri i tretë i bashkëpunimit dhe urimi ynë është përherë që “adeptet” e fotografisë të shtohen në Shqipëri – nga EJAlbum do të ketë përherë mbeshtetje për iniciativa të tilla.
“Fjalë përshëndetëse…” – Julinda Mbrica. PR EJAlbum
Tema e revistës për këtë numër, ishte një rast shumë i mirë për të zbuluar gjurmët që thellë brenda nesh ka lënë më shumë se një shekull fotografi. Sepse ky art lind bardhë e zi. Madje shumë fotografë, me gjithë mundësitë e filmit me ngjyra, asnjëherë nuk e “tradhëtuan” atë bardhë e zi.
Gabriele Basilico e përdor prej gjithë jetës në arkitekturë apo më mirë në atë që ai quan “Peisazhi Urban”. Gianni Barengo Gardin, ashtu si pothuaj të gjithë fotografët e “Magnum”, kanë ngritur një kult të kësaj fotografie për të dokumentuar apo në rastin e Gardin, më mirë të themi “interpretuar” realitetin e përditshëm. Është i panumërt numri i fotografëve që gjatë gjithë karrierës së tyre përdorin vetëm këtë lloj fotografie. Vetë ne, fotot e familiarëve tanë nëpër albumet tona, i kemi në bardhë e zi në pjesën më të madhe.
Nëse i referohemi teorisë së dritës, madje ngjyrat janë thjesht një “interpretim” i trurit ndaj refleksit të dritës; në të vërtetë ato nuk ekzistojnë. Ja pse ne të EJAlbum prisnim shumë nga fotografët kësaj here. Fatkeqësisht na duhet të pranojmë që shumë pak u mor seriozisht dhe fotografitë janë shumë pak. Gjithsesi falenderojmë si gjithmonë pjesëmarrësit për guximin e tyre, sepse fotografia bardhë e zi është e vështirë për peshën e saj historike dhe sfidën që përmban brenda.
Të gjykosh diçka, përmban brenda gjithë subjektivitetin duke vështirësuar zgjedhjen. Dikush na e lehtësoi atë duke dërguar vetëm një fotografi, dikush tjetër na e komplikoi duke sjellë fotografi që nuk i përmbaheshin temës apo rregullave. Për të tjerët zgjodhëm nga një foto sepse rregulli na e impononte, por kjo nuk do të thotë se të tjerat skualifikohen si me pak cilësore. Aspak. Thjesht zgjodhëm foton më koherente me të gjithë faktorët, temën, idenë, kompozimin, fuqinë e subjektit, realizimin teknik si dhe pa nënvlerësuar aspak: Kreativitetin!
Ne të EJAlbum e adhurojmë atë. Ne, kërkojmë pikërisht të gjejmë ata që duke qënë kreativë, e trasformojnë fiksimin e një imazhi në celuloid apo sensor dixhital, në art. Dhe si gjithmonë në traditën tonë, zgjodhëm një portofolio me disa foto të fotografit Visar Sherifi si punën e radhës për revistën. Në këto foto mishërohet plotësisht idea jonë e kreativitetit dhe forcës ekspresive të imazhit, në këtë rast në fotografi bardhë e zi.
Këtij fotografi i ofrojmë edhe një çmim simbolik, një album portfolio për punën e tij, duke i uruar sukses dhe duke shpresuar t’i sjellë fatin që për këtë vit i solli fotografes që vitin e kaluar ne zgjodhëm si fituese të një çmimi të ngjashëm, së cilës i realizuam portfolio-n personal dhe që tashmë është mjaft e suksesshme në Shqipëri. E kemi fjalën për fotografen Edvina Meta.
Gjithë pjesëmarrësve të tjerë u urojmë përzemërsisht shumë suksese në numrat e ardhshëm.
“Fotografia dhe interneti” – Elton Koritari
Probabilisht gjatë kohës që publikohet kjo revistë do të ketë ndodhur kalimi i shifrës së pritur: 2 miliardë përdorues në botë. Aktualisht populli i internetit është populli më i madh i planetit. Duke llogaritur rreth 6,8 miliardë popullsinë botërore (sipas Census Bureau USA); 30% e banorëve të planetit kanë akses në rrjet. Kjo shifër shkon në 71% në vendet e zhvilluara. 1,3 milionë sipas Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU) përdoruesit shqiptarë gjatë këtij viti. 50% më shumë sesa vitin e kaluar. Një rritje maramendëse e destinuar të mos frenohet derisa edhe në Shqipëri populli i internetit të arrijë një përqindje të ngjashme me atë të rajonit, pra rreth 65% e popullsisë, që në Europë ka akses të përditshëm në web.
Tashmë fjalët: Google, Facebook, Wikipedia, My Space, Twitter, Flickr etj janë fjalë të fjalorit të përditshëm. Bota po shkon drejt një seleksionimi paraprak online të çdo produkti, ideje apo informacioni para se ta konsumojë më pas atë në botën reale. Madje kufijtë mes dy botëve duket sikur nuk kanë më kuptim që kur interneti është edhe mobile, nëpërmjet telefonit apo platformave wireless. Aq sa kjo revistë psh. mund të lexohet tashmë kudo, pothuaj njëlloj si të ishte e stampuar në letër, madje me avantazhin që më pas mund të ndahet me këdo, sado larg të jetë ai person dhe me një avantazh tjetër akoma më të madh: është gratis.
Spontanisht, besoj se lind një pyetje: Çfarë ka të bëjë kjo me fotografinë?
Mendoj se përgjigjia është fare e thjeshtë dhe ka të bëjë me përbërjen fizike të të dyjave, që tashmë është një seri e kriptografuar numrash 1 e 0.
Fotografia dhe interneti ecin në të njëjtët binarë dhe në fakt, në vite, rritja e internetit ka ndikuar mjaft tek fotografi duke ndryshuar krejtësisht fizionominë e një bisnesi, por edhe të vetë profesionit të fotografit. Mbi të gjitha, interneti amplifikoi një përzjerje të ujrave ndërmjet fotografisë profesionale dhe asaj amatoriale, sidomos në favor të kësaj të fundit. Tashmë kushdo ka mundësi të shfletojë portfolio të fotografëve profesionistë, të ndajë me këdo krijimin e tij, të informohet e pse jo, edhe të shesë fotografi në një moment kur edhe blerësit janë të lidhur online. Blerësit! Ata tashmë janë online dhe ky është një fakt me të cilin një fotograf duhet të përballet në çdo moment dhe që e bën atë një figurë profesionale komplekse të cilit i duhet të konkurojë jo vetëm me kolegët e vet, por edhe me miliona fotoamatorë që ashtu si ai janë në kontakt me blerësit.
Gjithçka është bërë më komplekse edhe për faktin se tashmë, fotografi nuk është më një hallkë e një zinxhiri, por thjesht një komponent i pavarur i gjithë mekanizmit.
Kjo vlen për fotografët free-lance edhe për ata që kanë një studio apo dyqan. Le të shpjegojmë më mirë të gjitha rastet:
Një fotograf artistik, deri para pak kohësh krijonte artin e tij ekskluzivisht për një galeri apo një editor. Po ashtu edhe një fotoreporter dërgohej diku nga një agjensi apo nga një editor për të dokumentuar realitetin dhe më pas ai dërgonte materiale që editoheshin nga të tjerë para se të botoheshin. Sot këto raste janë gjithnjë e më pak. Sot editori më parë i drejtohet web-it. Aty gjejnë potuajse çfarë të duan. E si pasojë fotografia e komisionuar ka ndryshuar krejtësisht. Fotografëve sot për të konkuruar u duhet të bëjnë gjëra që më parë i bënin të tjerët. Duket sikur janë kthyer në fillimet e tyre 160 vite më parë kur u duhej të fotografonin dhe më pas të përgatisnin vaskat, solucionet dhe si rrjedhim të gjithë proçesin. Ka një fotografi të famshme të Daguerre në karrocën e tij lëvizëse kur dilte për të fotografuar jashtë, asgjë të ngjashme me një aparat të vogël dhe një çantë dore aksesorësh më të cilët ishim mësuar të shihnim fotografët deri para pak kohësh.
Rrallëherë sheh sot fotoreporterë pa kompjuterin e tyre me vete. Dhe jo vetëm për të trasmetuar fotot, por edhe për t’i edituar ato. Sepse klientit gjithmonë e më shumë i ofrohet një punë e përfunduar dhe e gatshme për botim. Dhe gjithmonë e më shumë editorët i blejnë fotografitë nga fotografët lokalë për kronikat e tyre.
Akoma më komplekse është çështja për dyqanet e fotografisë. Tashmë ato nuk janë më pjesë e një sistemi zinxhir që niste nga kompanitë e mëdha të prodhimit të filmave dhe shtynin tregun drejt filmave nëpërmjet marketingut të tyre duke u siguruar kështu punën dyqaneve në një mekanizëm gati perfekt. “Ju shtypni butonin, ne bëjmë pjesën tjetër” – ishte parrulla e KODAK që në fillimet e saj me Kodak Box. Sot? Sot, kompanitë e mëdha ofrojnë gjithçka direkt konsumatorit. Fotokamera gjithmonë e më të përdorshme, gjithmonë e më të lira, software për editimin e tyre, printer për foto etj etj. Dhe për më tepër fotografitë mund të shihen direkt në kompjuter, në tv, në celular, mund të trasferohen menjëherë, të ndahen me të njohurit madje edhe të printohen nëpërmjet internetit.
Kjo nuk duhet të thotë që dyqanet duhet të mbyllen. Aspak. Fotografia do stampohet gjithmonë. Madje jo vetëm në letër fotografike. Edhe kjo është një gjë e re dhe në favor të teknologjisë dixhitale. Mund të stampohen kudo: bluza, tapete mausi, filxhanë, puzzle, mund të krijohen fotolibra, mund të bëhet pothuaj gjithçka. Dhe këtu qëndron roli i ri i dyqaneve të fotografive. Të rrisin ofertën e tyre, të rrisin cilësinë dhe sidomos të rrisin llojet e shërbimeve që ofrojnë. E njëjta gjë dhe për fotografët e eventeve apo për fotoreporterët. Në një moment ngopjeje të tregut të fotografisë, çuditërisht ka shumë nevojë për reportazhe fotografike. Sepse edhe një numër tjetër është në rritje: numri i revistave dhe i gazetave. Sidomos revistat, kanë nevojë më tepër se për foto kronike, për foto reportazhi. Punë të menduara mirë dhe të përgatitura më parë. Kjo është kthesa.
Ngelen fotoamatorët, jo më kot i lashë për në fund. Sepse kur flitet për një pasion, nuk ka kuptim të flitet për rregulla. Nëse fotografia është një pasion, i tillë duhet të ngelet. Nëse të apasionojnë lulet, peisazhet, arkitektura, njerëzit apo çfarëdo të jetë, tani ke më shumë mundësi ta bësh edhe me më shumë cilësi se më parë. Tani ke më shumë mundësi të ndash me të tjerët pasionin tënd. Tani ke më shumë mundësi të mësosh. Por tani ke më shumë përgjegjësi. Sepse tani çdo gjë të bësh është e gjykueshme në çast dhe krijon preçedent. Por mbi të gjitha tani vetëm ty të takon të zgjedhësh diçka: Të vazhdosh rrugën e nisur 160 vite më parë nga Niepce, Daguerre, Talbot, Bayard, rrugë nëpër të cilën në dekada kanë ecur Bresson, Ray, Nadar, Adams etj, apo të zgjedhësh një rrugë tjetër, atë të të ngelurit gjithmonë një diletant.
Asgjë të keqe nuk ka edhe kjo e fundit. Mjafton të mos ketë mendjemadhësinë e të zëvendësuarit të së parës. Sepse fotografia, sido që të jenë mjetet me të cilat realizohet apo shpërndahet, në emrin e saj ka një mision: “Të shkruajë me dritë!” Dhe drita ka rregullat e saj. E ardhmja do marrë parasysh gjithmonë historinë e këtij arti. Piktori Paul Delaroche, ngeli në histori jo për artin e tij, që ishte tepër mediokër, por për një frazë idiote që sot e degjojmë akoma shpesh. Kur pa fotografinë e parë ai tha: “Që sot, piktura mund të deklarohet e vdekur!”. Të gjithë e kemi parasysh sot sa e gjallëroi madje pikturën lindja e fotografisë. Të njëjtën gjë po bën dhe do vazhdojë të bëjë teknologjia dixhitale. Do vazhdojë të rrisë pasionin për fotografinë. Dhe interneti, paradoksalisht është mjeti më i mirë për të bërë këtë.
Ky duhet të jetë misioni i të gjithëve.
Mund të lexoni nga revista edhe këto artikuj:
Bashkëbisedim me Fotografin Bujar Veselaj
Bashkëbisedim me Fotografin Armando Babani
Shih edhe: